Muarem Muarem nuk është më pjesë e Flamurtarit. Edhe pse administratori kuqezi Sinan Idrizi k deklaruar se do mbajë lojtarët kryesorë dhe se ishte i kënaqur nga paraqitjet e mesfushorit, Muarem ka ndërprerë marrëdhëniet me klubin vlonjat dhe ka firmosur në Maqedoni, për Shkupin.
Një nga futbollistët më të mirë të Maqedonisë, i cili për një kohë të gjatë karrierën e tij e ka kaluar në klube evropiane, përveçse ka vensur fanellën e kombëtares së Maqedonisë, Muarem Muarem është përforcimi i parë i skuadrës së drejtuar nga Zekirija Ramadani.
Futbollisti shkupjan është prezantuar sot me skuadrën e tij të re, pasi ka firmosur edhe kontratën dy-vjeçare.
“Sigurisht se ndjehem i lumtur që pas 11 viteve kthehem në klubin e dashurisë, Shkupin dhe lagjen time Çairin nga edhe e fillova jetën e një futbollisti profesionist. Shpresoj të adaptohem shumë shpejt me ekipin dhe të jap ndihmën time në realizimin e projekteve të kryesisë, ndërsa tani me pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, klubi do ketë mundësi që përsëri të kthejë famën e dikurshme”, është shprehur Muarem për faqen zyrtare të Shkupit.
Muarem u transferua në janar te Flamurtari, me një pagë të jashtëzakonshme, por luajti vetëm 11 ndeshje në Superiore, për shkak se u dëmtua sapo erdhi në Shqipëri. Dy gola të shënuar dhe disa ndeshje të mira në pranverë, por gjithsesi nuk mjaftoi për të qëndruar në Vlorë.