Quhet Muarem Muarem, është mesfushor ofensiv dhe është bërë i gjashti lojtar që afrohet nga Shpëtim Duro, duke luajtur më parë në Maqedoni, pas Siljanovskit, Useinit, Zhufos, Pollozhanit dhe së fundit Nedeljkoviçit.
Ish-futbollisti i Karabakut të Ansi Agollit ka folur sot për “infosport.mk” në Maqedoni, ku ka treguar pse zgjodhi Shqipërinë: “Kam nënshkruar për një vit e gjymë. Jam shumë i kënaqur me kushtet që mi kanë ofruar. Unë si futbollist çdoherë kam dashur të luaj në klube me ambicie të larta, qofshin ato si nga Superliga shqiptare apo edhe në Europë. Mund të them se pikërisht ambiciet që ka Flamurtari më kanë shtyrë të pranoj ofertën e kësaj skuadre”.
Shkupjani 29-vjeçar tregon si u bind për në Vlorë: “Meritë kanë ata që qysh në fillim kanë marrë pjesë në bisedime me këtë klub, prej trajnerëve, presidentit dhe shokut tim që më tregoj i pari për këtë klub, Ismet Hasani. Më treguan se për çfarë klubi bëhet fjalë, dhe normalisht pas gjithë atyre fjalëve unë vendosa vetë për të vazhduar karrierën time në klubin e Flamurtarit” – tha Muarem, i cili prej korrikut deri në nëntor ishte pjesë e Aktobes në Kazakistan.