Historike! Sllovenia është për herë të parë kampione e Evropës në basketboll për meshkuj, teksa dje në mbrëmje, në finalen e madhe të Stambollit, ka mundur Serbinë, 93-85. Një ndeshje tërësisht e ekuilibruar me dëshirën e madhe të të dy skuadrave për të fituar, ndërsa perioda e parë është vetëm me dy pikë diferencë avantazh për Serbinë, 20-22. Sllovenia lëshohet “pa duar” në periodën e dytë, që duket se ka qenë vendimtare për fitoren e titullit të parë Evropian. 36-25 dhe në total 56-47 në pushimin e lojës. Serbët e Xhorxheviçit duhet të ndryshojnë skemë për të përmbysur situatën. Dhe kur kanë fituar periodën e tretë 15-20 kanë ngushtuar në pesë pikë diferencë 71-67. 22-18 dhe në total 93-85 dhe Sllovenia është për herë të parë Kampione e Evropës në basketboll për meshkuj.
Dragiç me 35 pikë dhe Bogdanovitç me 22 pikë janë shënuesit më të mirë të ndeshjes, ndërsa skuadra e trajnerit Igor Koskov është mbi çatinë e kontinentit. Në vendin e tretë është renditur Spanja, e cila ka fituar ndaj Rusisë, 93-85 (21-13, 24-15, 21-27, 27-30). Kështu është mbyllur ky Evropian për t’i lënë radhën vazhdimit të kualifikueseve të Botërorit “Kinë 2019”, si dhe raundit pareliminator të Evropianit 2021, ndërsa Shqipëria do të jetë përballë Armenisë dhe Danimarkës.