“Mrekullia ekonomike” e Espanjol, njësoj si Reali me 18 milionë euro investime

Nëse Barcelona ka vuajtur gjatë këtij muaji tetor, ku ngadalësoi hapin në kampionat dhe i la kreun Sevijas, ajo që buzëqesh është një tjetër pjesë e qytetit: ajo që mbështet Espanjolin. Skuadra e drejtuar nga Rubi, pozicionohet në vendin e pestë të renditjes në La Liga, me pikë të barabarta me Realin e Madridit. Por, ajo që befason, është se rezultatet në fushë, nuk kanë ardhur pas goditjeve bombastike në merkato.

Përkundrazi, për të ndërtuar ekipin që lufton për zonën e lartë të renditjes, klubi ka shpenzuar vetëm 18 milionë euro në merkato. Katalanët e investuan pjesën më të madhe të buxhetit për të blerë sulmuesin Borja Iglesias: 10 milionë euro, 8 ndeshje, 2 gola dhe 2 asist në këtë start të sezonit. Tetë milionë euro të tjera u përdorën për të blerë kartonin e mesfushorit Serxhi Darder, ndërsa mbrojtësi nga Venezuela, Roberto Rosales u huazua nga Malaga. Ndërkohë që, shumë lojtarë u afruan nga akademia e klubit.

Sipas renditjes në La Liga, Sevija e vendit të parë ka shpenzuar 76,5 milionë euro, ndërsa Barcelona ndjekëse plotë 126 milionë. Atletiko e Madridit është në kuotë të ngjashme me “blaugranat”, me 123,5 milionë euro, ndërsa Reali i Madridit investoi 146 milionë. Më pas vjen Espanjoli, që jo vetëm shpenzoi 18 milionë euro, por e uli tavanin e pagave nga 61 milionë euro në 56,7.

Një revolucion i rëndësishëm për klubin, nëse mendohet se gjatë sezonit të kaluar, kur shpenzimet ishin më të mëdha, rezultatet nuk ishin kaq mbresëlënëse. Me fjalë të tjera, një konfirmim se shpenzimet “e çmendura” në merkato nuk janë garanci e suksesit në fushën e lojës. Një tjetër shembull si ai i Fulhamit në Premier Ligën angleze.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *