Në emisionin “Pressing” është bërë moviola e ndeshjes mes Bylisit dhe Tiranës, e mbyllur në shifrat 1-3. Një moment shumë i diskutueshëm ishte për një penallti të dyshimtë që nuk është akorduar nga kryesori, në ndërhyrjen e bërë brenda zonës nga Gentian Muça.
Fillimisht ishte Starova që u shpreh se ishte një penallti që nuk i’u dha Bylisit. Por pasi u dhanë disa herë pamjet dhe e shpjegua nga ana e Jankut, është shuar disi edhe ky rast, duke i dhënë më tepër të drejtë Hamitit mbi vendimin e marrë për vazhdimin e lojës.
Sulejman Starova: “Tirana e kishte si ndeshje stërvitore me Bylisin, por kishte një penallti të padhënë aty për Bylisin kundër Tiranës”.
Albano Janku: “Le ta shohim atë rast, por Hamiti ka vepruar drejtë. Po ta shohim Muça ka kapur topin në atë largim”.
Sulejman Starova: “Si e ka kapur topin? Është kapur në këmbën e kundërshtarit, se u driblua Muça”.
Albano Janku: “Jo nuk është ashtu, nuk u driblua”.
Sulejman Starova: “Po kujt i thua që nuk u driblua”?
Albano Janku: “Shikoje sesi topi ka shkuar më tej, e ka prekur Muça”.
Sulejman Starova: “Gjithsesi unë nuk thashë gjë, Tirana e ka merituar atë fitore dhe e kishte të lehtë, vetëm se ishte ai rast, që tani duket i diskutueshëm”. /Sport Ekspres/