Moviola e Bujar Pregjës për Vllaznia-Laçi/ Shehu për karton të kuq ndaj Krujës, por u “falën” edhe shkodranët

Vllaznia-Laçi ka prodhuar shumë diskutime edhe pas përfundimit të takimit që u mbyll në shifrat 1-2. Ato që u komentuan së tepërmi ishin vendimet e arbitrit Cjapi, ku janë parë edhe disa gabime. Pikësëpari për ta nisur me rastin e shumëpërfolur kur në minutën e 20 të takimit Shehu ndërhyn keqazi te Kruja.

Cjapi ka nxjerrë kartonin e verdhë, kur ishte në limitet e të kuqit. Bujar Pregja, specialisti i gjykimit që është pjesë e “Pressing” në “ABC News” e sheh në këtë mënyrë: “Kemi një ndërhyrje të rrezikshme direkt me këmbën e ngritur lart, duhet të ndëshkohet me karton të kuq. Ka shpejtësi, intensitet, këmba nuk është në tokë, por e ngritur lart dhe godet direkt kundërshtarin. Kartoni i verdhë është i pamjafuteshëm, duhej i kuq”.

Për të vazhduar me një tjetër gabim të arbitrit kur Shehu ndërhyn nga mbrapa te Adili në minutën e 30. “Këto pengime nga mbrapa duhet të ndëshkohen me karton”, është shprehur Pregja. Ajo që vlen për t’u theksuar është se Shehu e kishte një karton të verdhë në atë moment.

Megjithatë gabimet kanë qenë të dyanshme nën gjykimin e Pregjës pasi edhe Vllaznia është “falur” në minutën e 40 kur Kruja i kthen reston Shehut: “Ndërhyrje e rrezikshme nga lojtari i Vllaznisë, që nuk është për topin, por për këmbën e kundërshtarit. Njëra këmbë është e ngritur dhe për këtë rast mendoj se është karton i kuq”, ka thënë në vlerësimin e tij Pregja.

Për t’u përmendur edhe minuta e 89 kur Shehu pengohet në zonë nga Imami dhe nuk jepet penallti. “Lojtari i Laçit e shmang futbollistin e Vllaznisë dhe goditet në këmbë. Topi nuk ka ikur, është në lojë dhe lojtari i Vllaznisë e godet direkt në këmbë. Është 11-metërsh i padhënë për Laçin”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *