Lorenc Trashi është pika kyçe e Partizanit, që në kohët e fundit nuk po kalon një situatë aspak të mirë. Gjithsesi mbrojtësi në fjalë e bën diferencën tek të kuqtë, madje do të arrinte që të kapte edhe Kombëtaren, duke shënuar një gol të bukur me kuqezinjtë.
Shpalosja e aftësive në arena të tilla ka bërë që për Trashin të ketë interesime nga ekipe jashtë Shqipërisë. Por vetë lojtari nuk kërkon që në këtë moment të flitet për largime, duke hedhur poshtë gjithçka është shkruar nga ana e mediave. Në prononcimin e dhënë për “Syri TV”, mbrojtësi shprehet se do të diskutojë rreth kësaj çështje vetëm kur të largohet nga Partizani.
“Unë jam në kontratë me Partizanin, kam edhe një vit kontratë me opsionin plus 1, ndaj nuk ka asgjë për të diskutuar. Çfarëdo që është folur nëpër media dhe nëpër rrjete sociale, nuk ka gjëra të vërteta. Nuk është se më ka pyetur njeri, unë jam pjesë e Partizanit dhe kur të mos jem nën kontratë me klubin atëherë do të jap edhe prononcimin tim”, tha Trashi. /Sport Ekspres/