“Mos e hap telefonin se është Shqipëria”! “Hachim Mastour” shqiptar që Galiani “linte kokën” pas tij, 22-vjeç dhe tani luan në…Serinë D

Nga Klaudio Ndreca

Ekzagjerim i mediave apo gabimi i vetë lojtarëve që nuk mbajnë ritmin e tyre të punës më së paku, e jo më për ta shtuar atë? Kjo është dilema hamletiane rreth historive të talenteve shqiptarë, kryesisht të rritur në elitë.

Sigurisht që ishte e pamundur të mos raportoje emra shqiptarësh që të mbushnin me shpresë teksa formoheshin në ekipe si Interi, Juventusi apo Milani. Nuk i kishim të shumta alternativat dhe të tërhequr gjithmonë nga ideja se një ditë do të kishim edhe ne një yll botëror, shpeshherë lojtarët visheshin me nota të një melodie që nuk i përkisnin.

Për të qenë më konkret, Ismet Sinani ose i njohur ndryshe si “Hachim Mastour shqiptar” ka qenë rasti flagrant. Një lojtar i formuar kryesisht nga Youtube dhe rrjetet sociale duke të krijuar idenë se bëhej fjalë për Kristiano Ronaldon, por në të vërtetë rezultoi…”vrimë në ujë”. Sot askush nuk e kujton, por asokohe kishte një gjyq publik për Shqipërinë dhe gjithë stafin që merret me Kombëtaren: “Nuk e shihni, çfarë po ju humbet nga duart?”. Për këtë arsye, do të mbërrinte përgjigja:

“Në rastin e Ismet Sinanit dhe Edon Zhegrovës, nuk mund të flitet më tepër. Ata na premtuan se do të vinin te ne dhe në fund nuk më hapën as telefonin”, kështu u shpreh trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Alban Bushi sa i përket sjelljes së dy lojtarëve në fjalë shumë kohë më parë.

Ismet Sinani gjatë kohës që luante me të rinjtë e Milanit do të merrte një jehonë të madhe. Një realizim me fanellën e kuqezinjve mjaftonte për të bërë zhurmën mediatike, megjithëse edhe tek të rinjtë ky lojtar nuk preferohej si titullar. Gjithashtu edhe një grumbullim me ekipin e parë të Milanit tërhoqi jo pak vëmendje kundrejt këtij lojtari.

Do të ishte vetë sulmuesi shqiptar që do të merrte gjithmonë rolin e protagonistit në mediat shqiptare, teksa do të shprehej: “Unë jam zgjedhja e vetë Galianit, ai bëri gjithçka për të më marrë mua në skuadër”. Nuk kaloi shumë kohë, ndërsa Milani e huazoi futbollistin 19-vjeçar në Serinë C me Juve Stabian. Pas asaj aventure kuqezinjtë nisën që ta huazonin sërish drejt niveleve më të ulëta derisa hoqën dorë përfundimisht nga kartoni i tij.

Por ku ndodhet sot ky lojtar? Besojeni ose jo, por pavarësisht jehonës së madhe që pati për të, Ismet Sinani është aktualisht në një ekip që ndodhet në Serinë D të Italisë dhe që mban mesin e tabelës. Për më tepër, sulmuesi është vetëm 22-vjeç dhe shërben si shembulli më i mirë për të treguar sesi mund të ve.tvritesh në mungesë të sjelljes profesionale, pavarësisht talentit që të ka falur Zoti. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *