Altin Lala ka rikujtuar mbrëmjen e Beogradit, duke sjellë në kujtesë momentet e përplasjes mes lojtarëve të Shqipërisë dhe pjesëtarëve të Serbisë. Ikona e Kombëtares e quan ideatorin e dronit, Ballist Morinën, si një fenomen i cili do të kujtohet për dhjetëra dhe qindra vite me radhë.
Kur flitet për Milot Rashicën në emisionin e “Fax Sport” i cili ka si menaxher pikërisht Altin Lalën, ky i fundit ka treguar edhe arsyen e dështimit të transferimit te Bajer Leverkuseni. Ndërsa sa i përket sulmit të tifozëve të Kosovës, gjithçka cilësohet një absurditet.
“Ballist Morina është një hero që ka rrezikuar jetën e tij për atë gjestin në Beograd. Një dorë na erdhi edhe ne në Europian nga Ballisti sepse vulosi tre pikët atje. Ndoshta ne do të barazonim edhe do të fitonim, por Ballisti vendosi takimin dhe meritonte premio. (qesh) Padyshim është fenomenale dhe do të kujtohet me dhjetëra ose qindra vite. Bëri atë që asnjë tifozi në botë nuk i ka shkuar në mendje.
Si ka qenë mbrëmja e Beogradit? Po që kur shkuam dukej sikur do të venim për luftë, jo për futboll. Tensioni ishte i jashtëzakonshëm, por nuk është se kishim frikë. Madje i kam thënë njërit nga ekipi: “Po nuk na ndodhi gjë sot, harrojeni se ka për të ndodhur ndonjëherë”. Adrenalina ka qenë e jashtëzakonshme atje.
Milot Rashica? Dështoi transferimi te Leverkusen sepse u mbyll në minutën e fundit. Marrëveshja u arrit, vetëm se lojtari nuk mundej të rregjistrohej, kishte kaluar orari i merkatos së verës që u mbyll. Pastaj kritikat që vijnë nga tifozët se nuk erdhi për Kosovën, nuk e di, absurde, flasin pa lidhje. Më thoni një lojtar që nuk dëshiron të ishte kundër Maqedonisë së Veriut në atë ditë? Më thoni një lojtar që nuk do të jetë në Europian? Asnjë! A i thërrasin mendjes këta? Po kuptohet se ku jetojmë dhe çfarë absurditetesh duhet që të dëgjojmë. Se përpara ndeshjes nuk thanë asgjë dhe menjëherë pas humbjes doli që Rashica, Muriqi dhe Rrahmanin nuk donin të vinin”, ka thënë Lala. /Sport Ekspres/