Trajneri kuqezi: Mund edhe ta fitonim. Tani nuk po pësojmë dhe jam i kënaqur, por duhet që të bëjmë diçka edhe përpara. Ishte delikate. Andre Silva? Ka talent
Një fitore që nuk ka mbërritur as edhe ditën e djeshme për Milanin, në barazimin e dytë radhazi në Europa League kundër AEK-ut (0-0). Trajneri i kuqezinjve, Vinçenco Montela, nga i cili pritej fitorja dhe ndonjë reagim nga ekipi, duke qenë se vinte pas humbjes me Juventusin në “San Siro”, ka folur kështu për mediet, duke e nisur nga Andre Silva, që u zëvendësua: “Andre Silva ka potencial të madh, ndodh që të gabosh një zgjedhje, por ka talent të madh. Duhet të punojë shumë, por shoh një ekip të vendour dhe me cilësi e sasi. Në javët e fundit krijojmë më pak, por pësojmë edhe më pak.
Pjesa e parë ishte kështu kështu, në të dytën më mirë. Mund të fitonim. Nuk ishte një ndeshje e lehtë dhe Montolivo goditi shtyllën, ndryshe do të kalonim në avantazh. Kundërshtari ishte i fortë fizikisht dhe nuk të linte që të bëje çfarë të doje. Krizë sulmuesish? Me numra po, por vetëm kaq, do të ishte më mirë që të shpërndanim golat e realizuar më parë. Duhet të punojmë, por skuadra ka luftuar dhe e ka kokën në fushë. Kam shumë besim. Ishte ndeshje delikate, por kështu do të jetë edhe në vijim, edhe të dielën përballë Sasuolos”.
Sa i përket të ardhmes, Montela ka përdorur ironinë: “Jam duke asistuar te funerali im dhe mendoj se është një avantazh, sepse dallon shumë gjëra. Nuk e di se çfarë do të ndodhë, por klubin e shoh shumë pranë. Ka nevojë për sinkronizim, ndonjëherë për lëvizje pa top apo vrapime për shokun, që ta ndihmosh të të pasojë. Duhet të përmirësohemi, sepse sa herë që na mbulojnë një për një, kemi vështirësi që të krijojmë raste”.