Montela në shtëpinë e Donarumës, rihapet rinovimi!

 

Nis një tjetër strategji e Milanit: trajneri vepron personalisht, ndërsa portieri duket se po bindet të ndërrojë mendje, por tani ka frikë ambientin. Rritet oferta kuqezi, 6 mln euro në sezon

Vinçenco Montela është duke ndërhyrë në person të parë për të bindur Donarumën. Ai ka qenë ditën e djeshme në Kastelamare di Sabia, ku jeton edhe familja e portierit, që gjatë këtyre ditëve e ka pasur mjaft të vështirë, pasi ka marrë edhe kërcënime të shumta. Fakti është se familja ka kërkuar edhe shpjegime për atë që po ndodh, duke iu referuar Mino Raiolës, agjentit të djalit të tyre, që ndoshta mund të jetë nxituar, edhe pse sipas tij sinjalin ia dha Xhixho.

Xhixho Donaruma nuk është shfaqur i qetë me Italinë dhe dje ka bërë dy gabime në qëndrimin e tij në portë, në një sfidë ku pësoi tre gola në total. Sakaq, duhet theksuar se gjendja e tij këto ditët e fundit s’ka qenë aspak e mirë. Sipas asaj që flasin miqtë dhe familjarët, edhe në videomesazhet që ka pasur ka fshehur lotët për atë që po ndodh, sepse nuk priste të shkonin gjërat kështu.

Strategjia – Ndërkohë, Fasone dhe Mirabeli do të ndjekin një strategji të re dhe ajo ka të bëjë me kontaktet në fshehtësi. Javën që vjen pritet të ketë takime me Raiolën, që s’ka pëlqyer jo ofertën por ultimatumin që kanë dhënë kuqezinjtë, pra deri më 13 qershor. Kështu, do të shtyhet një afat i ri, deri në 3 korrik, që është edhe dita e grumbullimit.

Oferta – Sipas asaj që është shkruar nga “Sky”, madje, pritet që oferta e Milanit të rritet edhe më shumë dhe të shkojë deri në 6 milionë euro. Donaruma nuk e di se çfarë të bëjë teksa zemra i thotë Milan, por tashmë ka frikë tifozerinë, pasi e ka ofenduar. Edhe pse, nuk përjashtohet që Milani t’i dalë në mbrojtje ose t’i japë mundësinë e një konference për shtyp, që do të sqaronte çdo gjë.

Prapakthehu – Ndërkohë, sipas “Il Mattino”, ka qenë vetë Donaruma ai që ka urdhëruar kunatin e tij  që të bëjë prapakthehu dhe të fshijë një mesazh që është shfaqur në rrjetet sociale, ku shkruante se Milani është klub palaçosh. “Çfarë ke shkruar? Fshije shpejt, si mund të flasësh ashtu kundër klubit që unë dua dhe jam?!”. Një mesazh i qartë se në zemrën e tij mbizotëron vetëm ngjyra kuqezi.

Jo Juventus – Edhe nëse do të largohet, sigurisht që nuk do të qëndrojë në Itali, te Juventusi, duke qenë se do të ishte një thikë në zemrën e milanistëve, më shumë se sa tani. Për këtë arsye, Raiola është duke punuar në dy fronte, në atë të Real Madridit, me konsensusin e Perezit, që ka dhënë “ok”, por edhe në atë të PSG-së, që do të ofronte një komision më të lartë për Raiolën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *