Është momenti i Sindrit Gurit! Ditën e djeshme Guri kaloi zyrtarisht te skuadra e Ostendes, duke bërë një hap shumë të madh në karrierë, por sot autori i 19 golave këtë sezon ka prekur një tjetër ëndërr në sirtar. Shkodrani do të jetë pjesë e përfaqësueses për dy ndeshjet e ardhshme të Kombëtares së Shqipërisë me Ukrainën dhe Kosovën. Ka qenë vetë klubi i Kukësit që e ka njoftuar diçka të tillë përmes një postimi në “Facebook”, duke i uruar shumë suksese 24-vjeçarit, por njëkohësisht duke kujtuar dhe listën e lojtarëve që përmes Kukësit kanë arritur të përfaqësojnë kombin: “Pas bluzës së kampionëve në fuqi, Sindrit Guri tani vishet me atë të ekipit të Kombëtares shqiptare.
Më në fund duket se pas ekipit belg të Ostendes, Sindrit Guri ka bindur dhe trajnerin e Kombëtares shqiptare, Kristian Panuci për t’u bërë pjesë e saj. Para dy vitesh Guri erdhi te Kukësi si një lojtar i zakonshëm, por falë punës së tij dhe te ekipit kuksian arriti të bëhet një nga lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar.
Për klubin kuksian ky është një vlerësim që pohon edhe një herë se Kukësi është një ekip me peshë në futbollin shqiptar.
Sindrit Guri i bashkohet lojtarëve të tjerë që nga radhët e Kukësit janë bërë pjesë e Kombëtares shqiptare dhe asaj kosovare si Cikalleshi, Koliçi, Alla, Musolli, Hoxha.
Klubi kuksian i uron suksese të mëtejshme Sindrit Gurit në karrierën e tij futbollistike”, përfundon njoftim i Kukësit.