Momenti i së vërtetës, Magani kërkon hapin e madh

0

Pas dy barazimesh rresht mes kampionatit e kupës, sot pasdite Teuta e Kamza luajnë një ndeshje ku 3 pikët sidomos për durrsakët janë “flori”

Janë ndeshur 8 herë në dekadën e fundit, mes kampionatit e kupës dhe Teuta nuk është mundur kurrë nga Kamza. Sinjal i qartë për përballjen e sotme në Durrës? Jo dhe aq, sepse 5 nga këto 8 përballje kanë përfunduar në barazim dhe Teuta e ka mundur Kamzën vetëm një herë në Durrës. Statistika që duhet të shqetësojnë durrsakët, por jo vetëm kaq, sepse me Kamzën këtë sezon nuk kanë fituar ende në dy tentativa dhe historia thotë që një titull kampion i mungon Teutës pikërisht për faj të Kamzës.

VITI I MALLKUAR 2012 – Prill 2012, Teuta kryesonte Kategorinë Superiore dhe i fuste të dridhurat Skënderbeut, që mendonte se e kishte në xhep titullin. Më 29 prill Teuta priste Kamzën, tre javë para fundit, me një kalendar fantastik, sepse më pas priste Pogradecin dhe vizitonte Kastriotin e pamotivuar. Gjithçka në rregull, titulli dukej drejt Durrësit, por Kamza nuk e mendonte ashtu. Në mënyrë misterioze, Kamza luajti ndeshjen e sezonit dhe Teuta, e befasuar, u ndal te një 0-0 vdekjeprurës, sepse titulli shkoi në Korçë atë ditë. Kujtime të hidhura…

MAGANI SHEH GOTEN GJYSMËPLOT – Para disa javësh kërkoi largimin dhe shpërtheu në akuza. E pësoi Albi Dosti, ndërsa të tjerët janë ende aty, por me ultimatum, pasi deri në janar duhet të tregojnë sa vlejnë. Po e bëjnë, sepse në ndeshjet e fundit Teuta ka luajtur mjaft mirë, nuk humbet prej 5 ndeshjesh dhe nuk ka shënuar vetëm në Vlorë, ku gjithsesi u soll shumë mirë. Amadu Latif në sulm po rritet nga ndeshja në ndeshje dhe mesfusha po funksionon, me një zbulim si Karimi që prish ekuilibrat e kundërshtarëve. Sot fitorja ndryshon shumë gjëra, largon hijet dhe bën të shihet sërish nga Europa, ndaj është ndeshje me rëndësi të madhe.

MAKINERIA E NDREUT FUNKSIONON – Në mesjavë nuk ishte Kamza më e mirë e sezonit, por munguan disa titullarë dhe impenjimi nuk ishte maksimal, pasi Kamza nuk e ka luksin të japë gjithçka edhe në kupë. Ramazan Ndreu ka ndërtuar një makinë perfekte, por nuk duhet sforcuar shumë, sepse realisht me 2-3 dëmtime dhe pak lodhje, rrezikohet shumë. Sot kthehen në fushë Halilaj, Idrizaj, Frashëri, Zefi e Plaku, ata që e bënë pushim në kupë, ndërsa në vend të kroatit Fushtar, i dëmtuar, do të luajë braziliani Leo Lelis, pozitiv në kupë.

MOTI NUK SHQETËSON – Do të luhet prej orës 14.00 dhe shpresohet që të mos ketë reshje të dendura. Moti i ditëve të fundit ka paralizuar Shqipërinë, por në stadiumin Niko Dovana gjendja është mjaft e mirë dhe fusha ka përballuar pa probleme reshjet, ndaj sot nuk priten probleme, edhe pse natyrisht fusha do të prishet jo pak gjatë ndeshjes dhe ky është problemi i vetëm për Teutën.

Formacioni i mundshëm i Teutës, 4-5-1

Kastrati – Beqja, Shkalla, Hërkaç, Hakaj – Çyrbja, Lena, Dediç, Hila, Karimi – Latif

Formacioni i mundshëm i Kamzës, 4-4-1-1

Halilaj – Frashëri, Kuqi, Lelis, Idrizaj – Fukui, Arrabal, Zefi, Ymeraj – Plaku – Raçiç

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.