Momente frike në stërvitjen e Napolit. Gjatë seancës përgatitore të drejtuar nga trajneri Ançeloti, Elseid Hysaj pësoi një goditje në kokë dhe qëndroi për disa minuta në fushë, nën vëzhgimin e stafit mjekësor.
Pas atij episodi, mbrojtësi shqiptar u largua nga fusha stërvitore me një qeskë akulli, të cilën e mbante në pjesën e pasme të kokës. Megjithë ankthin e momenteve të para, mjekët e Napolit dhanë siguri se nuk bëhet fjalë për diçka serioze.
Ndërkohë, te nënkampionët e Italisë janë vënë në kërkim të një alternative për krahun e djathtë të mbrojtjes. Një lojtar në nivelin e Hysajt, që do të rritë konkurencën. Fillimisht kur kuqeziu projektohej drejt Çelsit, kandidat ishte Vrsaljko, ndërsa tani po përfliten të tjerë emra.
Nga Munier i Paris Seint Zhermen, për të vazhduar me Lainer i Salcburgut, ndërsa mes alternativave janë edhe Sabaly i Bordo dhe kolumbiani i PSV Enid’hoven, Santiago Arias. Për momentin, Ançeloti duket se i beson Hysajt, megjithatë shkodrani duhet ta fitojë javë pas jave vendin në formacionin titullar.