Vetëm pak orë përpara ndeshjes me Laçin, Molde zyrtarizoi afrimin e Magnus Volf Eikrem. Një mesfushor cilësor dhe me eksperiencë, që u kthye në klubin ku është formuar si lojtar.
27-vjeçari firmosi kontratë për 4 vjet e gjysmë me ekipin e vendlindjes, pas aventurave me Herenvenin, Kardif Sitin, Malmon dhe Siatëll Saundërs. Por, klubi më i rëndësishëm i karrierës së Eikrem ka qenë padyshim Mançester Junajtid.
Aventura te “Djajtë e Kuq” zgjati dy vjet, me mesfushorin që cilësohej një premtim i madh dhe nga ekipet e Akademisë arriti të luante me skuadrën e dytë të Junajtid dhe në sezonin 2010–11 u regjistrua në listën e skuadrës për ndeshjet në Champions League.
Lojtari u prezantua nga trajneri Solskajer, ndërsa për Laçin ky është një lajm i keq. Në këtë mënyrë Molde fiton cilësi dhe eksperiencë përpara ndeshjes, me Magnus Volf Eikrem që është gati të japë kontributin e tij, edhe sepse ekipi norvegjez e ka regjistruar në skuadër për ndeshjet në Europa League.