“Moldavia na kishte studiuar mirë, Jasir Asanin e markonin në çdo moment”! Silvinjo: Kisha emocione para këtyre tifozëve, stadium ishte i tejmbushur…

Shqipëria arriti të fitonte me shifrat 2-0 ndaj Moldavisë me golat e realizuara nga Asani dhe Bajrami. Kështu kuqezinjtë arrijnë të grumbullojnë tre pikë me shumë vlerë dhe mbajnë ende gjallë shpresat për kualifikim. Më poshtë gjeni intervistat e protagonistëve në Supersport:

Silvinjo: “Të fitosh në shtëpi është e rëndësishme, isha në ankth për këtë debutim. Pesë orë para ndeshjes më thanë se stadiumi ishte i tejmbushur dhe kisha emocione. Lojtarët kanë bërë punë fantastike, i kam thënë se do ta kishim të vështirë me Moldavinë. I kemi thënë lojtarëve që ne jemi të gjithë bashkë dhe kemi mundësi të madhe për të arritur objektivin. Jasir Asani? Jo vetëm sot, por edhe ndaj Polonisë ka bërë paraqitje shumë të mirë. Por në pjesën e parë nuk ishte në maksimumin e tij. Moldavia na kishte studiuar mirë dhe kishin vendosur lojtarë te Asani, e markonin në çdo moment”.

Cikalleshi: “Nëse unë godas shtyllën dhe ne fitojmë, atëherë le të godas shtylla. Nuk më ka ngelur peng kjo e sotmja. Nuk duhet të kalojmë në entuziazëm, sot kemi bërë vetëm detyrën që të fitojmë, Europiani është i vështirë, të jemi me këmbë në tokë. Kemi trajnerin e duhur dhe tani jemi ne lojtarët që duhet të japim shumë nga vetja, por Europiani është ende i vështirë. Sot kemi parë një Kombëtare me shpirt gare. Tifozët ishin lojtari i 12 sot, na mbështetën maksimalisht sot dhe i falënderoj. Po bëj 10 vite në Kombëtare dhe po jap kontributin tim. Atëherë i thashë edhe presidentit Duka që nëse unë jam problemi, atëherë do të largohem. Ai qeshi dhe e kam thënë, unë nuk e braktis anijen, nëse nuk bëj punë, unë iki edhe tani, por nuk e braktis”.

Asani: “Kur mora ftesë për herë të parë nga Shqipëria, e gjithë familja më tha se shumë shpejt do të shënoja një super gol. Më kishte marrë malli shumë që të luaja në Tiranë, më ka munguar. Silvinjo më ka besuar dhe më dha shumë mbështetje. Jam më i lumturi në botë që po luaj me Shqipërinë, ishte ëndrra e fëmijërisë, këtë ndeshje nuk do ta harroj kurrë.

Gjimshiti: “Jam shumë i lumtur, jam bërë edhe baba. Kjo ndeshje kishte nevojë për durim, ne e kishim sot. Shqipëria tani ka më shumë vetbesim me topin. Dallohen nga bisedat tona, mes lojtarëve në kafe apo kur kemi kohë të lirë, të gjithë duan të shkojnë në Europian dhe kemi cilësi për të shkuar. Uroj që këtë herë të kemi edhe unë mundësi të shkoj në Europian”.

Hysaj: “Kjo skemë e Silvinjos na përshtatet më shumë. Nëse vazhdojmë kështu, të gjithë rivalët tanë do ta kenë të vështirë me ne. Silvinjo po na karikon shumë, ke lojtarët e stolit që po japin gjithçka në stërvitje. Rasti i humbur i Uzunit? I thashë me shaka, shpëtove se ishte offside, se ndryshe do e kishe punën keq”.

Nedim Bajrami: “Jam shumë i lumtur për golin e parë me Kombëtaren. Jemi të gjithë aty, po punojmë shumë dhe ndihemi mirë. Me Poloninë luajtëm mirë, na mungoi vetëm goli. Kemi marrë tre pikët sot dhe kemi Ishujt Faroe tani, nuk do të jetë e lehtë. Ky është pozicioni im i preferuar dhe jam i lumtur që shënova”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *