“Mjafton t’ju përmend golin model ndaj Vllaznisë, bëjmë gjëra të mira me topin”, Cungu flet me sinqeritet: Kjo pikë vlen për sakrificën, por jo për objektivin tonë

“Abissnet Superiore” ka hyrë në sprintin e saj përfundimtar. Gara për një vend në ‘final four’ është bërë më e ashpër se kurrë. Edhe tre javë nga fundi i kampionatit të rregullt, tre ekipe janë në garë për vendin e 4-t në elitën e futbollit shqiptar. Aktualisht në këtë pozicion vijon të mbetet Dinamoja. Këta të fundit janë ndalur një barazim 0-0 nga Laçi, duke marrë vetëm një pikë nga kjo sfidë.

Ndërkaq, Skënderbeu ka marrë sot tre pikët përballë Erzenit. Bardhekuqtë kanë fituar me rezultatin minimal 1-0, në një ndeshje që u vendos që në minutën e 7 nga Janaqi. Me këtë fitore Skënderbeu shkon në kuotën e 47 pikëve, po aq sa Dinamo e vendit të 4-t. Por gara shkon përtej këtyre dy skuadrave, teksa Tirana i ndjek me vetëm një pikë më pak. Bardheblutë luajnë nesër derbin e zjarrtë me Partizanin, ku në rast fitoreje, do të ngjitej në vendin e 4-t në “Abissnet Superiore”. Më poshtë mund të ndiqni intervistat e trajnerëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Cungu (Laçi): “Përtej dëshirës për të marrë 3 pikët, edhe me problematikat me disa mungesa të lojtarëve bazë të formacionit, një pikë i vlen moralit dhe sakrificës së djemve. Ishte mëkat të dilnim pa pikë nga kjo ndeshje. Sa i përket objektivave, kjo pikë nuk na vlen shumë. E kërkonim këtë pikë për të përligjur atë sakrificë të djemve në fushë, por jo për ecurinë dhe objektivat tona. Kam javë që i kërkoj djemve: ‘Duhet të kemi më shumë qetësi në këmbët tona’. Në mendjen tonë për të qenë më saktë. Sidoqoftë, ka momente të mira të ekipit. Por ka momente oshilacionesh që vërehen edhe nga ana juaj. E kemi dëshmuar që kur kemi pasur topin në këmbë kemi bërë gjëra shumë të mira. Mjafton të përmendim vetëm golin ndaj Vllaznisë, që ka qenë një model”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/