Larg futbollit të luajtur, por gjithmonë pranë sportit. Duke ndihmuar, që në trojet mbarëshqiptare të hidhen baza të forta. Misioni i kapitenit legjendar të Kombëtares, vijon me fëmijët. Fondacioni “Lorik Cana 5”, i cili ka nisur aktivitetin prej muajsh në Shqipëri, duke instaluar fusha për fëmijët e kopshteve dhe me trajnimin e mësuesve të edukimit fizik, tashmë po përhapet edhe në Kosovë.
Fondacioni i ish-kapitenit kuqezi ka hedhur hapat e parë për të nisur punën në Komunën e Prizrenit. Loriku është takuar me kryetarin e qytetit, Mytaher Haskuka, duke gjetur mbështetjen për të filluar sa më shpejt projektet e “Fondacionit LC5”. Prizreni do të jetë qyteti i parë, me punën që, më pas, do të përhapet në të gjithë Kosovën.
Misioni i fondacionit të themeluar nga Lorik Cana është mbështetja dhe promovimi i sportit dhe kulturës, kryesisht te moshat e vogla në kopështe apo para-shkollor. Qëllimi lidhet me edukimin e fëmijëve me kulturën e sportit, inkurajimin e tyre drejt eksperiencave pozitive prej moshës së vogël dhe angazhimin në aktivitete fizike. Një pjesë të rëndësishme e projektit i dedikohet edhe njohjes së kulturës dhe trashëgimnisë kombëtare. Një mision mjaft i veçantë dhe thelbësor për brezat e rinj.