Misioni kampionat, tani nis e vështira për Laçin!

Laçi përballet të enjten me Molden dhe përmbysja e rezultatit të ndeshjes së parë do të arrihej vetëm në sajë të ndonjë mrekullie. Norvegjezët triumfuan 3-0, ndërkohë që janë një ekip mjaft i fortë. Gjithsesi kurbinasit do kërkojnë të paktën ta mbyllin me nder pjesëmarrjen në Europa League. Kalimi i turit të parë padyshim që ishte një sukses.

Por më e vështira nuk ka nisur. Kampionati është në prag dhe për presidentin Pashk Laska lind detyra për të bërë një merkato cilësore. Largimet kanë qenë të shumta gjatë kësaj vere, ndërkohë që ka pasur edhe afrime, por bardhezinjtë nuk janë të plotë dhe duhen edhe disa lojtarë.

Është e domosdoshme të afrohen edhe dy qendërmbrojtës, pasi nga sezoni i shkuar ka mbetur vetëm Eglentin Gjoni. Fangaj është opsion gjithashtu, por sërish nuk mjaftojnë. Kampionati është i gjatë dhe drejtuesit duhet të gjejnë zgjidhjet e duhura. Në Europë u zgjidh problemi duke huazuar Hoxhallarin dhe Radasin, por ata do të kthehen në ekipet e tyre.

Veçse në qendër të mbrojtjes, ka nevojë edhe për afrime në repartet e tjera. Një mbrojtës i majtë për të dubluar Sefgjinin është i nevojshëm, kurse problemi tjetër madhor është sulmi. Vice Kendesh, kroati i afruar këtë verë, nuk shquhet për shënimin e golave dhe normalisht që do të kërkohet një lojtar që të mbajë peshën në repartin e avancuar. Zëvendësimi i Rexhinaldos është thelbësor dhe puna në klubin kurbinas ka nisur. /VLADIMIR PRENGA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *