Seria A nuk është ajo e para disa viteve, por ka ende mbrojtës si Kielini, Bonuçi, Kulibali apo Shkriniar, që i do çdo klub i madh në botë. Megjithatë, qendërmbrojtësi i Interit Miranda është i bindur se është ai mbrojtësi më i mirë në Serinë A.
Kampion Spanje dhe finalist në Champions League me Atletikon e Madridit, braziliani 33-vjeçar ka qenë një lojtar kyç tek Interi që prej vitit 2015 dhe nuk pret që ta thonë të tjerët sa i mirë është.
“Në aspektin e eksperiencës, por jo vetëm kaq, e konsideroj veten mbrojtësin më të mirë në Serinë A. Mendoj se jam mbrojtës i kompletuar, me teknikë dhe shpejtësi. Jashtë fushe janë shumë i qetë dhe mendoj gjithnjë para se të veproj. Këtë sjellje e mbart edhe në fushë”.
Ta shohim Mirandën dhe Interin e tij kundër Juventusit, të shtunën. Nëse ia del të ndalë kampionët në fuqi, të paktën për gjithë qytetin e Napolit do të jetë vërtet më i miri në Itali, pse edhe në botë.