Miqësorja me Kosovën / Shqipëria U-19 fiton testin e parë, vendos një goli i Adi Kurtit

Shqipëria U-19 ka zhvilluar sot në stadiumin “Kukës Arena” miqësoren e parë ndaj Kosovës U-19, nga dy të programuara këtë javë. Një ndeshje e bukur e me shumë raste, që përfundoi me fitoren e kuqezinjve me rezultatin 1-0.

Trajneri i ri i Kombëtares U-19, Ervin Bulku e nisi ndeshjen me këtë formacion: Tomas Kiri, Zylyf Muça, Fabian Përndreca, Adi Kurti, Arlind Kurti, Skerdi Xhixho, Oresti Kasmollari, Flavio Sulejmani, Ledio Tresa, Erald Krasniqi, Samuel Kasa.

Një pjesë e lojtarëve janë të rinj në këtë skuadër, që ka nisur procesin e rinovimit, por duhet theksuar se integrimi ka qenë mjaft i shpejtë dhe paraqitja e kuqezinjve e ka treguar më së miri këtë gjë. Pikërisht lojtarët e afruar së fundmi nga Kombëtarja U-17 kanë qenë protagonistë në këtë premierë të stafit të ri teknik.

Pjesa e parë ka qenë thuajse e barabartë me kuqezinjtë që kanë pasur të paktën dy mundësi shumë të mira për gol, por fati nuk ka qenë në anën e tyre. Fillimisht Flavio Sulejmani në minutën e 33-të lëshon një goditje të fuqishme fluturimthi nga jashtë zone me topin që përplaset në shtyllën e djathtë pingule të portierit kosovar.

Në vijim të aksionit është Erald Krasniqi që ka një tjetër mundësi, por gjuajtja e tij me kokë pas një krosimi në qendër të zonës përfundon pak mbi traversë. Para përfundimit të pjesës së parë Sulejmani godet me kokë pas një krosimi me topin që përfundon jashtë, shumë afër shtyllës, ndërsa edhe Samuel Kasa i afrohet shumë golit me një gjuajtje mjaft të bukur në ajër me të djathtën pas një aksioni mjaft të bukur e me shumë kombinime të kuqezinjve.

Në pjesën e dytë të dyja skuadrat bëjnë shumë zëvendësime, ndërkohë që edhe Kosova tenton të godasë portën e Shqipërisë herë pas herë, por pa sukses. Gjithsesi, kuqezinjtë vazhdojnë të jenë më superiorë dhe prodhojnë më shumë volum loje. Në minutën e 77-të Ledio Tresa provon nga distanca me topin që ndalet nga mbrojtja fillimisht. Maldin Kacurri, i futur në fushën në pjesën e dytë, arrin të shfrytëzojë rastin, duke goditur portën me portierin kosovar Miftari që bën mrekullinë duke shmangur një gol të sigurt.

Kur gjithçka po i drejtohej fundit, në minutën e 90-të, Shqipëria fiton një këndore me Endri Damën, që kroson në qendër të zonës aty ku portieri Miftari grushton fillimisht, por mbrojtësi Adi Kurti përfiton dhe godet me të djathtën duke shënuar e duke fiksuar rezultatin në 1-0. Një gol që vendosi edhe rezultatin përfundimtar të ndeshjes, me trajnerin Ervin Bulku që regjistron kështu një fitore në debutimin e tij në stolin kuqezi.

Sakaq, më 16 qershor, Shqipëria U-19 do të luajë edhe takimin e dytë ndaj Kosovës, po në stadiumin “Kukës Arena” në ora 10:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online