Nga Klaudio Ndreca
Shqipëria ka mbyllur kualifikueset e Botërorit duke u renditur në vendin e tretë në grupin e saj. 18 pikët e grumbulluara janë rekord në historinë e Kombëtares, pasi nuk janë arritur asnjëherë më parë. “Sport Ekspres” ju sjell statistikat e sulmuesëve që janë më të përdorur në këto kualifikuese të Botërorit.
Myrto Uzuni mban vendin e parë me 640 minuta loje, ndërsa ka arritur që të shënojë në dy takimet kundër San Marinos. Në po të njëjtat ndeshje ka shënuar edhe Rei Manaj, duke mbajtur të njëjtat shifra si Uzuni, por me 452 minuta loje.
Statistikat më të mira i ka Armando Broja, jo më kot ka fituar dashurinë e gjithë shqiptarëve. Tre gola të shënuara në 226 minuta, mesatarisht arrin të shënojë thuajse në çdo 75 minuta. Për më tepër që golat e tij na kanë dhënë fitoren në dy ndeshjet kundër Hungarisë, falë tij jemi në vendin e tretë dhe me këtë rekord pikësh. Statistikat i plotëson ndaj San Marinos, atje ku dhuroi edhe dy asist.
Sa i përket Sokol Cikalleshit, sulmuesi i Konyaspor ka realizuar vetëm një gol në 382 minuta, pikërisht në humbjen 4-1 në transfertë kundër Polonisë. Sa i përket Bekim Balajt dhe Taulant Seferit, të dy sulmuesit gjenden në kuotën e 0 golave. /Sport Ekspres/
Myrto Uzuni, 640 minuta, 2 gola (San Marino, San Marino)
Armando Broja, 226 minuta, 3 gola (Hungari, Hungari, San Marino)
Sokol Cikalleshi, 382 minuta, 1 gol (Poloni)
Rei Manaj, 452 minuta, 2 gola (San Marino, San Marino)
Bekim Balaj, 100 minuta, 0 gol
Taulant Seferi, 56 minuta, 0 gol