Pero Pejiç, duam apo nuk duam, ka qenë një ndër mbretërit e golit në Superiore në dekadën e fundit, me një rendiment monstruoz në gjithë klubet që ka luajtur. Për këtë arsye, ka pasur edhe kontrata të çmendura, ndër më të lartat në qarkullim në Shqipëri.
Kukësi i dha sezonin e shkuar 75 mijë euro dhe kroati ia shpërbleu, duke shënuar gola titulli.
Pero Pejic – 2016-2017 [HD] by oscarstudio2010
Por pse iku Pejiç? Kukësi i ofroi më pak se gjysma e sezonit të shkuar, aq sa flitet se i ofroi vetëm 20 mijë euro, ndaj Pejiç preferoi të kthehej në shtëpi, te Slaven Belupo.
Për t’u veçuar është se Pejiç për herë të parë mbylli një kontratë pa gjyqe, sepse në Shqipëri ka pasur probleme me Tiranën, Skënderbeun e Flamurtarin në karrierën e vet. Gola pa fund, por kur vinte puna për t’u paguar, të gjithë kujtoheshin që ishin shumë para.
Tani Pejiç nis gjyqin tjetër, më të rëndësishmin e karrierës së vet. Në gusht të vitit 2015 firmoi një kontratë fantastike me Esteglalin në Iran, por qëndroi aty vetëm një sezon, luajti pak, pati probleme me klubin dhe u largua pa paguar.
Tani Pejiç i kërkon Esteglalit plot 400 mijë euro, shifër e jashtëzakonshme, nga ato që të siguron jetën kur ndahesh nga futbolli. Me shumë gjasa do t’i marrë, dihet si vepron FIFA në raste të tilla.