Pas fitores me Flamurtarin, lojtarët e stafi thuhet se janë shpërblyer nga dashamirës së skuadrës
Gaspër Marku
Ka mjaftuar një fitore si ajo ndaj Flamurtarit, që situata në qytetin verior të ndryshojë tërësisht. Në fakt, sinjalet e kësaj kthese u dhanë edhe më herët, por ajo që përjetuan shkodranët mbrëmjen e së hënës ishte me të vërtet për t’u shijuar. Të mundësh skuadrën, e cilësuar si më e mira e kampionatit, pas Skënderbeut kryesues, nuk është pak. Madje, jo vetëm me gola, por edhe me lojë, pasi për hir të së vërtetës, përpos një fillimi, që duhet pranuar, ishte i tëri për miqtë nga Vlora, e gjithë pjesa tjetër e lojës ishte e kuqebluve. Fitore, që me të drejtë ka rikthyer entuziazmin në qytetin verior, entuziazëm që nisi me brohoritjet e tifozëve gjatë dhe pas ndeshjes në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”, për të vijuar të jetë i tillë edhe më pas në mjediset shoqërore. Madje, jo vetëm e atij komuniteti që jeton në qytet, por edhe shumë e shumë më gjerë, deri në zonat më të thella malore të rajonit verior, pa lënë mënjanë edhe dashamirësit e shumtë të traditës së futbollit shkodran, që jetojnë brenda dhe jashtë vendit. E thënë shkurt, kur Vllaznia fiton, në Shkodër gjithçka ndryshon.
Premioja – Në arritjet e rezultateve pozitive të Vllaznisë gjatë javëve të fundit, duket se ka ndikuar edhe një mbështetje financiare, e cila krahas burimeve nga brenda klubit dhe Bashkisë thuhet se ka ardhur nga jashtë. Një gjë e tillë u pat bërë publike edhe pas fitores ndaj Teutës, madje duke përmendur edhe emra konkrete si dyshja Fushaj-Doshi, persona këto dashamirës të Vllaznisë, të cilët njëherazi po lakohen në opinionin shkodran edhe për marrjen e drejtimit të klubit kuqeblu, pas procesit të privatizimit. Edhe për këtë sukses të arritur ndaj Flamurtarit, zërat brenda klubit bëjnë me dije se fitorja në fjalë shoqërohet me premio. Megjithatë, pyetjes konkrete, nëse ka patur një gjë të tillë për trepikëshin e marrë ndaj vlonjatëve, njëshi i klubit kuqeblu Administratori Astrit Gjyrezi e anashkalon, duke thënë: ”Rëndësi ka që ekipi të marrë pikët e duhura dhe ecën përpara, ana materiale në këto moment mendoj se nuk vlen”. Gjithsesi, një gjë është e qartë. Përpos parave të Bashkisë, tani Vllaznisë i vinë para edhe nga “nëndheu”.