Miliona për vendin e shtatë, Partizani më shumë se dështim

0

Presidenti Demi investoi më tepër se çdo vit, por rezultati është skandaloz. Fryrje e borderosë në administratë, lojtarë të mirëpaguar, rezultat zero

Barazimi i Luftëtarit me Vllazninë ndryshoi dhe tabelën e klasifikimit. Partizani zbriti me një pozicion, pasi kaloi në vendin e 7-të. Po, po, vendi i shtatë nuk është më një mirazh, as një anekdotë, pavarësisht se mund të ngjajë e tillë. Ekipi i programuar për fitimin e titullit kampion dhe në rastin më të keq Kupën e Shqipërisë mban këtë pozicion në renditje. Europa mbetet objektivi i tyre madhor tashmë. Në rast se arrihet – krejtësisht e mundshme – mund të ketë një zbutje të dështimit sezonal, pasi të kuqtë kanë dështuar. E kur mendojnë se sa shumë investoi presidenti Gaz Demi këtë sezon, drejtuesit bëhen me dhimbje koke, pasi i kishin premtuar atij gjëra të tjera, ndërsa realiteti i rezervon situata krejtësisht të kundërta.
STATISTIKAT –
Partizani ndodhet në vendin e shtatë, por më shumë se sa për vetë 28 pikët në 21 ndeshje, klubit të kuq i rëndon golavarazhi skandaloz. Besojeni, është me minus. Kryeqytetasit e kanë -4 momentalisht, me 18 gola të shënuar dhe 22 të pësuar, e ku ka më turp se kaq? Partizani është sulmi i dytë më i dobët i kampionatit, pasi vetëm Lushnja ka shënuar më pak se ta, ndërsa mbetet mbrojtja e 4-ët më e mirë. Si mund të mos jetë dështim, ky?
BORDEROJA – Ndryshe nga vitet e tjera, presidenti Gaz Demi dyfishoi fashën e shpenzimeve. Ai nuk u kursye me idenë e qartë për rikthimin e skuadrës te trofetë. Luçiano Moxhi i doli garant se do të bënin lëvizjet e duhura dhe do të kthenin Partizanin si një Juventus të vogël. Kjo frazë duket si pjesë e filmit “Përralla nga e kaluara”, por pasqyron realitetin e Partizanit dhe mund të justifikojë parullën e famshme: “I njëjti film, e njëjta histori”. Borderoja e kryeqytetasve është rënduar në Administratë, pasi afrimi i Luçiano Moxhit dhe Antonelo Preitit shkakton një barrë të madhe. Në fakt, “gropën” më të madhe e shkaktoi merkatoja e verës me stafin teknik Juliano, Dosenën dhe afrimet e pakontrolluara të lojtarëve. Largimi i tyre nuk kishte vetëm kosto sportive, por dhe financiare.
Spastrimet e janarit dhe afrimet sollën një “freski” në arkën e klubit, por dëmet janë të pandreqshme.
Në ekip, barra më e madhe mbahet nga Edgar Çani. Sulmuesi mund të jetë epiteti i dështimit të “demave”. Ai u afrua si “ylli” i skuadrës, por ishte i dëmtuar. Disa seanca stërvitore, dy ndeshje me Kukësin dhe Skënderbeun në fillim të sezonit dhe u zhduk nga radarët. Rroga e tij është shumë e lartë, pasi merr rreth 12 mijë euro në muaj, kontributi i tij është zero. Një tjetër “afrim i rëndë” në merkato është sulmuesi Besart Abdurahimi. Jo në nivelin e Çanit, por rroga e tij është goxha e majme. Klubi i kuq sakrifikoi pak për afrimin e tij, deri tani mund të jenë disi të penduar për rendimentin e dobët që po tregon, por nuk është përshtatur ende. Ka nevojë për kohë, duhet durim. Po ku ta gjejnë tifozët e kuq? 24 vite pa titull dhe jashtë stadiumit, vetëm durimin mos ua zër në gojë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.