Milinkoviç vendos, Guri fiton duelin me Alijevin

Alijev tashmë nuk po luan dhe statistikat i japin të drejtë trajnerit. E sigurt që azeri dhe Guri s’mund të luajnë së bashku, por nga stoli rezulton një “makineri” golash

Jurgen Zela

Rauf Alijev konsiderohej goditja e bujshme e Kukësit në verë dhe nga ai pritej dhe pritet shumë, kjo pasi vinte me statusin e një lojtari që kishte veshur dhe fanellën e përfaqësueses së Azerbajxhanit. Një pasues i Pejiç në teori, por që në praktikë duket ende shumë larg. 8 ndeshje në fushë, 5 takime si titullar, 492 minuta, 3 gola të shënuara dhe 2 penallti të fituara. Vetëm tre takime të plota për të dhe ende nuk është aty ku pritet. Më i frytshëm ka qenë në rastet kur ka ardhur nga stoli, teksa 2 nga 3 golat i ka shënuar pasi është aktivizuar si zëvendësues. Përshtatja dhe gjuha janë “armiqtë” e tij kryesor dhe nuk po e lënë që të bëjë përpara, pasi më parë është aktivizuar vetëm në vendin e tij. Është luajtur çereku i kampionatit dhe Milinkoviç kërkon me ngulm që të ketë një formacion stabël për vazhdimësinë. Dëmtimet e njëpasnjëshme e kanë privuar këtë dëshirë të teknikut serb. Nëse problematikat me dëmtimet kanë qenë kryesisht në mesfushë dhe në mbrojtje, sulmi ka gëzuar shëndet të plotë. Jo vetëm kaq, por alternativat janë të mjaftueshme, aq sa trajneri është i detyruar që të lërë një nga sulmuesit kryesorë në stol. Shansi i fundit për Alijev duket se ishte ndeshja me Vllazninë dhe azeri e pati shumë të vështirë të orientohet. Në Vlorë në majën e sulmit ishte Sindrit Guri, me një skemë që më parë kishte rezultuar pozitive në takimet para ndeshjes me shkodranët.

GURI

Shkodrani është kthyer në një lojtar të pazëvendësueshëm te Kukësi, teksa gëzon një formë të mirë dhe mund të luajë në më shumë së një pozicion. Deri më tani 24-vjeçari ka luajtur në të gjitha ndeshjet si titullar dhe është një nga tre “kampionët” e minutave, teksa nga minutazhi i plotë ka humbur vetëm 12 minuta. I aktivizuar si sulmues qendre, pas sulmuesit kryesor, si dhe në disa ndeshje si mesfushor krahu, Guri është kthyer në një lojtar deçiziv për Kukësin, pavarësisht se ka shënuar vetëm 1 gol në Lushnje. Një tjetër favor i shkodranit është edhe faktin se e njeh mirë klimën te Kukësi, pasi është afruar që një sezon më parë dhe ndryshe nga edicioni i shkuar kur nuk iu dha mundësia, këtë vit ka marrë mbi supe të jetë lideri i Kukësit. Rendimenti i tij i lartë ka bërë që Milinkoviç t’i besojë atij majën e sulmit. Një tjetër tregues pse Alijev nuk po bind është dhe fakti se me Flamurtarin pati shumë pak minuta në dispozicion dhe u aktivizua pas minutës së 80-të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *