Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, ka dalë sot përballë medieve, për konferencën e zakonshme për shtyp në prag të sfidës së fundjavës në kampionat, me kampionët në fuqi që presin Laçin. Trajneri serb ka vlerësuar Laçin, duke u ndalur gjatë te rivali dhe pikat e forta të tij, por ka besim se Kukësi do t’ia dalë mbanë dhe do të gjejë edhe golat e munguar.
SULMI – “E vërtetë, nuk kemi shënuar shumë, por janë luajtur vetëm dy ndeshje në kampionat, ekipi nuk është organizuar ende si duhet në fazën sulmuese, por jam i bindur që nga ndeshja kundër Laçit sulmi do të zhbllokohet”.
LAÇI DHE E SHKUARA – “Luajmë në fushën tonë dhe detyrimisht jemi favoritë. Laçi luan më mirë jashtë dhe këtë e treguan edhe në sfidën ndaj Partizanit, që fituan në Tiranë. Laçi do të vijë për të na marrë pikë, kjo është diçka e pritshme, por e kemi studiuar rivalin gjatë javës. E dimë që në sezonet e shkuara na kanë vendosur në vështirësi, por nuk dua të merrem me këtë gjë, pasi dua të shoh punën e ekipit tim, jo historinë. Skuadra ka pasur disa probleme me dëmtimet dhe virozat, por tani situata është e mirë dhe jemi gati për këtë sfidë, ku duam fitore dhe gola”.
ARMËT E LAÇIT – “Ata kanë një ekip të mirë, që luan me disiplinë të jashtëzakonshme dhe që luan mirë sidomos jashtë fushe. Nga krahët e sulmit janë të shpejtë me Nikën dhe Uzunin, por edhe Rexhinaldo është i rrezikshëm, nëse luan. Duhet të jemi seriozë dhe të organizuar, sepse përndryshe do të kemi probleme. Qendrën e mbrojtjes e kanë të mirë, me lojtarë interesantë dhe shtatlartë. I kemi studiuar kurbinasit, ashtu siç kemi bërë edhe me ekipet e tjera, kemi përballë një ekip solid dhe cilësor. Megjithatë, ekipi im do të hyjë në fushë për të fituar, pa menduar fare për ndeshjet pasardhëse, kalendarin e ngjeshur dhe rivalët për kreun”.
MOMENTI I KUKËSIT – “Skuadra ka qenë e bllokuar psikologjikisht, por barazimi me Skënderbeun kishte shumë rëndësi dhe një fitore kundër Laçit do të na zhbllokojë përfundimisht. Pas ndërprerjes së kampionatit skuadra do të arrijë formën optimale. Fillimisht na duhen pikët dhe më pas skuadra do të gjejë pak nga pak ritmin e duhur. Rëndësi ka të mos lëshojmë pikë dhe të qëndrojmë në grupin e kreut. Kam ndjekur 8 nga 10 ndeshjet e Superligës në këto dy javë të luajtura dhe mund të them se asnjë nga ekipet nuk është aty ku duhet për momentin. Janë mirë fizikisht dhe taktikisht, por nuk janë harmonizuar krejtësisht, ashtu si edhe ne”.
KREU I RENDITJES – “Nuk e dimë se kur mund të kapim vendin e parë, ama mund të themi se do të ketë ndryshime të vazhdueshme, pasi këtë javë luhen Skënderbeu-Partizani dhe Teuta-Flamurtari, ndeshje shumë të forta. Për ne rëndësi ka që të jemi sa më pranë kreut, ndërsa në prag të fazës së dytë do të kuptohet më qartë cilët janë pretendentët për titull. Për momentin nuk ka rëndësi kush është i pari”.
GURI DHE POZICIONIMI NË TË DJATHTË – “Mua më intereson si paraqiten lojtarët, nuk ka rëndësi pozicioni në fushë. Guri luajti në të djathtë të mesfushës sepse nuk kishim zgjedhje tjetër, por u paraqit jashtëzakonisht mirë, edhe pse roli i tij është sulmues qendre. Skuadra nuk ka qenë e kompletuar, por brenda një kohe të shkurtër shpresojmë të jemi të plotë, pasi vetëm kështu lojtarët do të luajnë në pozicionet natyrale dhe do të kenë kohë të ambientohen me lojën e njëri-tjetrit”.
TIFOZËT – “Kanë rëndësi të madhe për skuadrën, një stadium i mbushur dhe me entuziazëm ndikon gjithnjë për mirë, e kam provuar edhe vjet me Luftëtarin, skuadra karikohej në maksimum kur stadiumi ishte plot. Besoj se me ndihmën e sportdashëve kuksiane do t’ia dalim kundër Laçit”.
JASIR ASANI – “Asani është lojtar i mirë dhe është i mirëpritur, si çdo lojtar cilësor, por nuk flas dot pa u bërë lojtar i Kukësit”.
ALIJEV – “Alijev nuk ka ardhur si ‘yll’ i ekipit, ka ardhur si lojtar i mirë dhe të tillë kemi shumë në skuadër. Alijev është larguar në moshë të madhe nga kampionati i vet dhe nuk është e lehtë të ambientohet me Shqipërinë. Ai është futbollist cilësor dhe besoj se në momentin që do të shënojë të parin gol, do të kthehet në një makinë golash”.