Mlladen Milinkoviç dhe Kukësi, por edhe Luftëtari në mes. Trajneri serb këtë javë ka folur pa fund për të dyja klubet, atë aktualin dhe atë të shkuarin, por nëse është kthyer në Gjirokastër dhe ka marrë 3 pikët,polemikat nuk i janë ndarë, sa për golin e parë shënuar nga Bakaj, ashtu edhe nga debati deri në ofendime me presidentin e Luftëtarit Grigor Tavo. I ftuar në emisionin e Enkeleda Zekos “Fair Play” në News24, Milinkoviç ka prekur sërish polemikën me Tavon, duke ulur tensionin.
Si ishte për ty ky rikthim në Gjirokastër?
U ndjeva shumë mirë. Ekzistonte frika para ndeshje se si do të merrte ndeshja. Unë më shumë se të gjithë e di forcën e Luftëtarit dhe ju a thash dhe djemve të mi. Ndërruan trajnerin para ndeshjes dhe lojtarët donin të tregonin se sa vlenin. Jam i kënaqur që gjithçka shkoi mirë për ne edhe pse nuk ishte e lehtë, pasi pavarësisht rezultatit derisa shkuam 3-0 rrezikuam jo pak.
Si e shihni Luftëtarin këtë sezon?
Ekipi ka ngelur i njëjti, janë larguar vetëm tre lojtarë, pjesa tjetër aty është. Edhe unë jam i sigurt se këtë vit do të jen një ekip që do të bëjë mirë. Ka ardhur një trajner i ri shumë serioz në kampionatin shqiptar dhe me kualitetin që kanë lojtarët mund të luajë me çdo ekip në Shqipëri si i barabartë. Diçka të tillë e treguan dhe me, pasi nëse do shënonin një gol do na vinin shumë në vështirësi.
Ku është presioni më i madh, te një skuadër që pretendon për titull, apo për mbijetesë?
E kam thënë dhe vjet, çdo trajner ka presion. Objektivi ynë është për kampion, ndërsa te Luftëtari për mbijetesë. Kur luan për kampionat nuk ke të drejtë të bësh shumë gabime dhe ky është ndryshimi.
Cila është arsyeja që ju flisni greqisht, ndryshe nga sezoni i shkuar kur flisnit anglisht?
Vjet përkthyesin e bënte shefi i klubit, këtë vit kam Papën që përkthen nga greqishtja. Vjet kuptonin anglisht të gjithë te Luftëtari, kurse te Kukësi pak flasin anglisht, ndaj unë flas greqisht. Ajo që ka rëndësi është se unë e kuptoj të gjithë shqipen dhe shumë shpejt do e flas.
Si e komentoni golin e parë të Bakajt?
Edhe unë nuk e dija rregulloren. Ishte hera e parë që më ndodhte. Nuk kam folur me Bakajn. Ai është një sulmues dhe e ka instiktive të godasë. Të gjithë u shtangën në momentin e parë. Nuk mund të fajësojmë askënd.
Sa peshon ky episod në fitore?
Goli i parë të ndihmon shumë. Edhe pas shënimit të dytë nuk isha i qetë. U qetësova vetëm kur shënuam golin e tretë.
Pritje e mirë nga tifozët, por debat në distancë me ish-presidentin.
M’u bë qejfi për banderolën, por dhe për tifozët që erdhën e më takuan si para, ashtu dhe pas ndeshjes. Besoj se kur njeriu është i mërzitur mund të thuhen disa fjalë më shumë. Unë e kam kaluar çështjen në FIFA. Tani nuk preferoj të flas, si njeri dua të fle i qetë sepse s’i kam bërë njeriu keq. E vërteta do të dalë shpejt. Ka vetëm një të vërtetë, nuk ka dy. Ndoshta nuk duhej të flisnim për këtë çështje. Të dy jemi nxituar në këtë pikë.
Do e telefononit Tavon, për ta sqaruar keqkuptimin?
S’kam problem ta diskutoj. E shoh si një mik. Respektoj çdo president jo vetëm Tavon. Besoj se një studio nuk është vendi për të diskutuar rreth kësaj çështjeje. Nuk e dija se do të flisnim për këtë çështje. Detyra ime është të merrem me trajnimin. Nuk kam problem me asnjë te Luftëtari, edhe me djalin e presidentit u takuam para ndeshjes.
Si e sheh Superioren këtë sezon?
Besoj se të gjitha skuadrat janë më të forta këtë vit. Asnjëra s’do të rrezikojë ndaj dhe nuk shohim lojëra të bukura. Përveç Lushnjes, që nuk e ka gjetur ritmin, ekipet e tjera kanë treguar mundësitë e tyre. Laçi mundi Partizanin dhe një javë më pas u mund nga Luftëtari. Diferencat janë të vogla. Ne shohim ekipin tonë. Nëse s’do gabonim me Skënderbeun, do ishim të kënaqur. Të kënaqur me rezultatet, jo me lojën. Kur kishim dëmtime, plani ishte të merrnim rezultate deri sa të rikuperohen të dëmtuarit. Duhet ende shumë punë të arrijmë aty ku duam. Jemi të kënaqur që skuadra po shënon. Kemi shënuar 14 dhe kemi pësuar 4.
Rivali kryesor i Kukësit?
Skënderbeu është rivali më i fortë. Ndeshjet e Europës e ndihmojnë dhe nuk e lodhin. Duke pasur mundësinë të luajnë shumë ndeshje lojtarët janë harmonizuar. Pas tre fitoreve radhazi edhe Partizani është afruar shumë. Për ne e rëndësishme është të luajmë futboll dhe të marrim rezultatet. Presim që të na rikthehen të dëmtuarit.
Marrëdhënia me Gjicin?
Unë e kam thënë që marrëdhëniet tona janë profesionale. Ka ambicie të mëdha ashtu si unë. Ka besim te ne dhe ne si staf dhe japim maksimumin që dhe ai të jetë I kënaqur. Interesohet 24 orë për ekipin dhe kjo është diçka e mirë për një president.