Përballë Partizanit asnjëherë nuk ka qenë e lehtë, por për momentin që ndodhet Kukësi, duhet me çdo kusht arritja e një rezultati pozitiv. Me petkun e kampionit, Kukësi nuk po i përmbush pritshmëritë, kjo dhe për shkak të ndryshimeve të shumta që ka bërë si në drejtim ashtu dhe në organikë. Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, ka dalë në konferencën për shtyp, para ndeshjes me “demat”, duke ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Fillimisht ai ka folur për gjendjen e skuadrës së tij dhe të Partizanit. “Si ne ashtu dhe Partizani nuk gjendemi në formën maksimale, para këtij takimi. Të gjithë e dinë se në këto takime loja ndryshon dhe ndeshja ka tjetër nivel. Janë ndeshje ku një lojtar mund të gëzojë formë shumë të mirë dhe mund të bëjë diferencën. Gjatë gjithë javës kemi përgatitur skuadrën që të paraqitemi sa më mirë të mundemi. E dimë se Partizani nuk është ai ekip që ne pamë me Laçin, të jeni të sigurt se ata do të luajnë shumë më mirë. Po ashtu dhe ne do të jemi më të impenjuar dhe nuk do të rehatohemi me rezultatin e ndeshjes së parë. Po ashtu kishim 7 ditë për ta përgatitur skuadrën, për të korrigjuar gabimet e bëra në ndeshjen me Kamzën. Besojmë se në këtë ndeshje do të paraqitemi më mirë”, tha Milinkoviç, që haptazi tregoi se objektivi ndaj të kuqve është fitorja.
REZULTATI – “Ne do të luajmë për të fituar. Jo vetëm përballë Partizanit, por përballë çdo ekipi ne do të luajmë për të fituar, pasi vetëm duke fituar do të arrijmë objektivat që kemi. Besojmë se dhe lojtarët e kanë kuptuar që nuk kanë arritur të bëjnë atë që kërkojmë ne në fushën e lojës, që ata mund ta bëjnë. Ne kemi punuar shumë dhe nga ana psikologjik, pasi mendojmë se aty kemi pak probleme. Nëse në do të kemi mendim pozitiv për çdo ndeshje besojmë se do të arrijmë rezultate të mira. Ne besojmë se një fitore me Partizanin do të jetë dhe çelësi i një rinisje të ekipit. Lojtarët duhet të besojnë te forcat e tyre edhe duke besuar në forcat e tyre dhe skuadra do të ecë përpara. A më kënaq barazimi? Para ndeshjes ne shohim vetëm për fitore. Nuk e dimë si do të shkojë loja. Në varësi të lojës mund të themi nëse do na kënaqte një barazim apo jo. Do të shohim si do të shkojë ndeshja. Edhe Partizani nuk ishte aq keq sa tregon rezultati me Laçin. Laçi luajti mirë me disiplinë. Pas shënimit të golit të parë u forcua dhe psikologjikisht, por nëse Adorjan do të kishte shënuar, rezultati do të ishte ndryshe. Pas shënimit të golit të dytë nga Laçi, koha nuk ishte e mjaftueshme, ndikoi lodhja, po ashtu dhe në aspektin psikologjik nuk ishin të kthjellët. Gjatë një 90 minutëshi, nëse nuk luan me mendje të kthjellët, nuk mund të fitosh vetëm me zemër. Për ne është e rëndësishme që të hënën të luajmë dhe me shpirt, por dhe me mendje të kthjellët”.
NGËRÇI – Ana psokologjiker është ajo që rëndon verilindorët dhe këtë e pranon edhe Milinkoviç. “Unë besoj se ky është ngërçi, pasi në të gjitha aspektet e tjera, si nga ana fizike dhe ajo taktike jemi mirë. Taktikisht jemi përmirësuar shumë, ende jo në nivelin që dua unë, por jemi përmirësuar dukshëm. Edhe në ndeshjen me Kamzën kemi pasur kritika për një paraqitje jo të mirë, por kemi pasur kombinime shumë të mira, jo në të gjitha rastet. Nëse do kishim shënuar dy apo tre gola, atëherë të gjithë do të thoshin që shkëlqyem. Ekipi luajti mirë dhe në ndeshjen me Kamzën, pavarësisht se nuk finalizoi . Na duhet pak kohë që ekipi të vijë në nivelin ku ne kërkojmë. Rezultatet pozitive do na japin krahë të përmirësohemi”.
PRESIONI I KAMPIONIT – “Sigurisht është një gjendje e re që u krijua, pasi ishte hera e parë që u shpall kampion dhe ka një farë presioni. Po ashtu dhe Partizani ka dalë shumë herë kampion dhe ka shumë vite që nuk ka dalë, ndaj edhe ekipet e tjera luftojnë për të fituar. Themi se nuk duhet të ketë presion për sa i përket rezultatit”.
PARTIZANI – “I kemi spikatur pikat e dobëta të Partizanit, kemi punuar gjatë gjithë javës. Këto janë ndeshje derbi, sfida shumë të vështira dhe diferencat janë shumë të vogla”.
SULMI – “Sezonin e shkuar Pejiç dhe Emini zhvilluan një sezon shumë të mirë. Bakaj dhe Alijev do e kenë të vështirë për të arritur ku ishin Pejiç dhe Emini. Pres gola nga të dy këta. Tani në këtë fillim kampionati ka rëndësi të fitojë ekipi dhe pak rëndësi ka kush shënon. Mundohemi dhe atyre duke mos u bërë presion, duke u kërkuar golin. E rëndësishme është të fitojmë dhe një asist është i barazvlefshëm me një gol”.
ALIJEV – “Unë nuk shoh se sa paguhet një lojtar, por nivelin që ka ai. Zgjedhjet për formacion unë i bëj në bazë të performacës dhe jo se sa paguhen. Kështu kemi punuar deri më tani, do e vendosim të hënën nëse do të jetë apo jo në formacion”.
PENALIZIMET – “Kukësi A dhe Kukësi B janë i njëjti klub. Edhe këtyre djemve të rinj do u jepet mundësia që të tregojnë veten e tyre. Ishte një vendim i joni që për një javë të kemi më pak lojtarë në stërvitje, që t’u përkushtohemi më tepër atyre”.