Milinkoviç: Katër ndeshjet e radhës vendosin sezonin

Trajneri i Kukësit flet në prag të sfidës kundër Kamzës, rival të cilin e vlerëson shumë. Merkatoja: “E kotë të bëjmë plane, nëse nuk afrohemi me Skënderbeun deri në janar”

Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, e di mirë që është një moment aspak i lehtë për skuadrën e tij dhe vetë atë. Kalendari i rezervon disa ndeshje mjaft delikate: Kamza nesër, Partizani të hënën, Laçi e Skënderbeu jashtë fushe në vazhdim. Kukësi ka humbur vetëm një ndeshje këtë sezon dhe ecuria do të ishte mëse e pranueshme, nëse nuk do të ekzistonte faktori Skënderbeu. Ecuria e skuadrës korçare ka qenë matanë parashikimeve dhe tashmë Kukësi e sheh veten 7 pikë pas, që do të thotë se tani deri në janar nuk lejohen më gabime. Kamza është rival i frikshëm, duke parë paraqitjen e saj deri më tani, por Milinkoviç është i qartë: duhet fitorja, ose… fitorja. Përndryshe, ai rrezikon shkarkimin dhe klubi djeg merkaton e janarit, që nuk ka arsye përse të bëhet, nëse titulli bëhet mirazh. Të gjitha këto tema Milinkoviç i ka prekur në konferencën e djeshme për shtyp.

– Sa e rëndësishme është kjo ndeshje dhe sa mund të ndikojë në ambiciet e klubit për të luftuar për titull?

– Është fillimi i fazës së dytë dhe për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme, sepse vijmë nga dy barazime rresht dhe na duhet fitorja. Përballë kemi një ekip që mund të quhet surpriza e madhe e këtij kampionati dhe befasi është se Kamza ka ardhur nga Kategoria e Parë dhe ka marrë shumë lojtarë, duke ndërtuar një skuadër shumë cilësore, me lojtarë cilësorë e të disiplinuar, ndaj e dimë që na pret një ndeshje e vështirë. Në 4 ndeshjet e ardhshme besoj se do të përcaktohet edhe çështja e titullit.

– A po ndihet presioni i distancës prej 7 pikësh nga Skënderbeu?

– Natyrisht, e kam thënë edhe në analizë me lojtarët e mi që ndeshjet e radhës janë mjaft të rëndësishme, janë mes rivalëve direktë dhe nëse ne marrim me Skënderbeun, do të kemi mundësi ta shkurtojmë distancën me kreun.

– Sa i kënaqur jeni nga paraqitja e Kukësit në fazën e parë dhe çfarë pret në vazhdim, a priten ndryshime?

– Nuk jemi të kënaqur me sasinë e pikëve që kemi grumbulluar. Nuk dua të nxjerr justifikim dëmtimet e shumta që kemi pasur, duhet të shikojmë përpara. Besoj se deri në dhjetor do të marrim rezultate pozitive, distanca me Skënderbeun do të zvogëlohet. Pas përfundimit të ndeshjeve deri në fund të vitit, do të ulemi, do të analizojmë, do të shohim cilët lojtarë na kanë kënaqur dhe cilët nuk kanë dhënë atë që kanë pasur mundësi të japin atë që munden. Duhet të shohim gjendjen e lojtarëve të dëmtuar, si Shameti, Musolli, Zeqiri e Hallaçi, dhe më pas do të vendosim.

– Si është situata në skuadër para Kamzës?

– Do jenë thuajse të gjithë në dispozicion, është kthyer edhe Musolli nga ndeshja me Kosovën. Disa lojtarë kanë probleme të vogla, të parëndësishme, ndaj shpresojmë që të enjten të kemi një skuadër thuajse të plotë, duke mos llogaritur dëmtimet e vjetra.

– Sa i druheni Kamzës, duke ditur që kanë ndalur edhe Skënderbeun?

– Është ekip me kualitet, është në formë psikologjike shumë të mirë, duke parë statistikat ata janë mundur vetëm nga ne dhe Flamurtari. Nuk shënojnë shumë, por edhe nuk pësojnë shumë. Do kërkojnë fitoren, natyrisht, pasi ndeshen me ekipin kampion, ndaj na duhet disiplinë dhe mobilizim.

– Merkatoja e janarit, a ka një ide të qartë në lidhje me emrat dhe rolet ku do kërkohen përforcime?

– Jo, sepse duhet të përqendrohemi te ndeshjet e mbetura, sepse nëse gabojmë sërish, është e kotë që të kërkojmë lojtarë të tjerë. Me kthimin e lojtarëve që i kemi pasur të dëmtuar, kam besim se skuadra do të luajë edhe më mirë dhe do të marrë rezultate të mira. Më e rëndësishmja është që lojtarët e mi të tregojnë sa vlejnë në fushë, përndryshe është e kotë që të themi që kanë cilësi, nëse nuk i tregojnë ato cilësi.

– Alijev, një ndër investimet e mëdha të verës, po e shohim në stol. A jeni i zhgënjyer prej tij?

– Kur pret diçka, duke nisur nga vetja, pritshmëritë janë të mëdha. Normalisht, prisja akoma më tepër nga Alijev, i cili është lojtar i mirë, por ndoshta nuk është ambientuar mirë. Mbase kampionati shqiptar nuk i përshtatet, por ne duam ta ndihmojmë që të japë më të mirën e vet. Është një lojtar në një moshë jo të re, sepse përndryshe do të ambientohej më shpejt, ndërsa Alijev largohet për herë të parë nga Azerbajxhani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *