Milinkoviç frikë nga “spiunët”, nuk teston formacion në stërvitje

Tekniku serb mban të fshehtë formacionin, duke mos dashur që të ekspozohet te kundërshtari. Alla e Musolli në dyshim, ndërsa Zeqiri dhe Shtubina mund të jenë lëvizjet e mëdha…

Kukësi i ka dhënë fund përgatitjeve për ndeshjen më të rëndësishme të javës së dytë. Përballë Partizanit, vetë tekniku Milinkoviç e pranoi se do të kërkojë fitoren, por në varësi të lojës do të tregonte nëse do e kënaqte një pikë. Skuadra prej shtatë ditësh stërvitet në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmëz. Prej dy ditësh tekniku serb i ka zbritur të tijtë në fushën e blertë gjatë orëve të para të mëngjesit për të shmangur temperaturat e larta, por dhe sytë kureshtarë. Milinkoviç u prezantua në konferencën për shtyp duke mos zbuluar asnjë detaj të formacionit, por në të njëjtën mënyrë ka vepruar dhe në seancën e fundit stërvitore, teksa ka vendosur që të mos e aplikojë një test brenda grupit me lojtarët që do të hedhë në fushë dhe ata që do të ketë në dispozicion.

NDRYSHIMET

Në futboll asgjë nuk është matematikë dhe shprehja “formacioni fitues nuk ndryshohet” ndonjëherë nuk vlen. Një fitore në kryeqytet do të ishte një rikthim qetësie te kampionët, edhe pse nuk do të jetë aspak e lehtë. Trajneri Milinkoviç edhe pse nuk ka provuar një formacion një ditë para ndeshjes, e ka bërë diçka të tillë dy ditë më parë, teksa binte në sy një provë me Kalenë në të djathtë dhe Alijevin përkrah Gurit. Dy sulmues për të tentuar vetëm fitoren. Spikaste fakti se ishin Shtubina dhe Zeqiri ata që nuk ishin me jelekët e titullarëve. Një skemë mashtruese për kundërshtarin, apo një rrezik për të arritur suksesin? Mbetet për t’u parë…

ALLA DHE MUSOLLI

Në dyshim për ndeshjen e sotme vijon të jetë Albi Alla. Qendërmbrojtësi është bashkuar me grupin, por ende nuk është në 100% e tij. Siç mësohet, për 24-vjeçarin do të vendoset vetëm para ndeshjes nëse do të hidhet në fushë nga minuta e parë apo jo. Alla pësoi një dëmtim para Superkupës dhe ekzaminimet e para treguan se ai do të mungonte 10 ditë, një periudhë që është plotësuar. Megjithatë Kukësi mund të mos rrezikojë për një lojtar që e konsideron si shtyllën e skuadrës. Milinkoviç është në ankth edhe për Musollin, pasi mesfushori i Kosovës është në dyshim. Ditët e fundit 28-vjeçari ka kaluar një virozë dhe ka qenë me temperaturë ditën e djeshme.

Formacioni i mundshëm i Kukësit (4-4-2)

Koliçi, Hallaçi, Shameti, Hoxha (Alla), Imami, Kërkotiç, Musolli (Zeqiri), Kale, Guri, Bakaj, Alijev

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *