Për fatin e keq të Milanit, një ndër investimet madhore të sezonit të shkuar, Andre Silva, rezultoi një dështim.
Ish-sulmuesi i Portos u pagua 38 milionë euro dhe konsiderohej e ardhmja e kuqezinjve, por në Serinë A impakti i tij ishte mediokër, me vetëm 2 gola, ndërsa në Europa League u shënuan shumë gola, por me pak vlerë, ndaj rivalëve modestë.
Milani nuk e pranon, por portugezi ka zhgënjyer dhe nëse largohet heq një barrë. Gatuzo nuk e konsideron titullar, blerja e një sulmuesi tjetër është e pamundur pa shitur dikë dhe Andre Silva nuk ka treg.
Gjithsesi, drejtori sportiv i Milanit Masimiliano Mirabeli ka dalë hapur dhe i ka vënë çmimin sulmuesit, duke paralajmëruar gjithë klubet që presin ndonjë ulje çmimi: “Do ta shohim pas pak vitesh sa do të vlejë në treg. Në e paguam 38 milionë euro, ndaj nëse e shesim, nuk pranojmë asnjë ofertë poshtë 40 milionë eurove”.
Për momentin askush nuk paguan aq shumë, por është e sigurt që në Angli shifra të tilla nuk trembin asnjë klub dhe deri në gusht dikush do të afrohet, sidomos nëse Andre Silva shënon ndonjë gol në Botërorin rus.