Milani nuk po shkëlqen në fushë, por shpreson që të paktën të mos ndëshkohet edhe jashtë saj. Ditën e djeshme drejtuesit më të lartë të Milanit ishin në Nion të Zvicrës dhe administratori i deleguar Marko Fasone për tre orë pati një takim me organet financiare të qeverisë së futbollit evropian. Pas përfundimit të takimit, nga klubi kuqezi kishte sinjale shpresëdhënëse, por realisht UEFA nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare dhe do të vendosë në ditët e ardhshme.
Para një komisioni me 7 anëtarë, kryesuar nga ish-kryeministri belg Iv Leterm, Fasone shpalosi detajet e planit të biznesit prë 4 vitet e ardhshme, që synon të arrijë te barazimi i bilancit në vitin 2021. Një lëvizje që do t’i lejonte Milanit të shmangte disa pengesa nga Fair Play Financiar.
Nuk dihet ende nëse UEFA është bindur, por skenarët janë dy. Nëse UEFA jep OK, Milani nuk do të ndëshkohet në merkato dhe as në ndërtimin e skuadrës në rast pjesëmarrjeje në kupat e Europës. Në të kundërt, nëse UEFA nuk pranon planin e Fasones, do të kalohej te një “settlement-agreement” dhe një gjobë 20-30 milionë euro, me Milanin që do të kishte bllokime të merkatos dhe numrit të lojtarëve të federuar, ndërsa bilanci do të rishihej çdo vit.