Milani nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në transfertë me Frozinonen. Skuadra e Gatuzos ka bërë një tjetër hap fals ndaj një kundërshtari në letër mjaft inferior. Edhe pse vendasit kanë marrë vetëm 1 fitore deri më tani, ndaj kuqezinjve lanë shumë pak hapësira.
Jo vetëm kaq, por Frozinone mund të kishte fituar ndeshjen, por VAR i anuloi një gol në pjesën e parë skuadrës së Baronit. Kuqezinjtë bënë shumë pak për të marrë maksimumin në këtë takim, duke veçuar faktin se nuk e vunë në asnjë moment në rrezik serioz portierin Sportielo.
Milani regjistron ndeshjen e katërt pa shënuar, çka është një prej rekordeve më negative në historinë e këtij klubi. Diçka e tillë nuk ndodhte që prej vitit 1984. Ekipi i Gatuzos shkon në kuotën e 27 pikëve pas këtij barazimi, por ka vetëm 1 fitore në 5 ndeshjet e fundit.
Frozinone në anën tjetër arrin kuotën e 9 pikëve dhe shpreson që të mbajë ritmin, pasi ky ishte barazimi i dytë radhazi. Mbyllet me një rezultat shumë dëshpërues viti për skuadrën nga Milano, me Gatuzon që tani rrezikon jo pak që si dhuratë për festat e fundvitit t’i shkojë njoftimi i shkarkimit.