Para një viti nga Anglia vërshuan ofertat për Leonardo Bonuçin dhe Juventusi nuk ishte kundër, realisht, por qendërmbrojtësi tha “jo”. Dëshironte të qëndronte në Itali, së pari për familjen e vet, pasi djali i tij është i sëmurë dhe nuk e përballon dot klimën angleze, përveç ambientimit dhe gjuhës.
Pak muaj më vonë, edhe pse kishte rinovuar me Juven, Bonuçi zgjodhi Milanin dhe habiti të gjithë, duke u veshur kuqezi, për një shifër aspak stratosferike, sepse nga Anglia ofronin mbi 60 milionë euro, ndërsa Milani pagoi rreth 40.
Aventura kuqezi ka qenë një dështim deri tani dhe Bonuçi e ka kuptuar se nuk i mjafton koha për të postuar ekuilibrat nga Torino në Milano. “Djalli” është tepër i dobët në këtë moment, edhe financiarisht, me UEFA-n që e ka paralajmëruar për bllokim merkatoje dhe gjoba.
Zgjidhja? Mund të shitet Bonuçi dhe në Angli e presin krahëhapur. Pep Guardiola e deklaroi hapur ditët e fundit se kërkon një mbrojtës cilësor e ekspert, të aftë të luajë në qendër dhe të ndërtojë lojën. Milani tashmë duhet të vendosë: a do ta sakrifikojë njeriun e vet simbol, ai që ishte goditja më e madhe e verës dhe i vetmi lojtar klasi në skuadër, pavarësisht se nuk ka shkëlqyer deri tani? Vështirë, por nëse vjen një ofertë 60 milionë euro e lart, te Milani zor se do të thonë jo, natyrisht duke e marrë të mirëqenë faktin se Bonuçi do të pranonte kalimin në Angli, gjë që nuk e bëri para një viti.