Pas Beneventos, Rijeka… Aventura e Xhenaro Gatuzos në stolin e Milanit nis si mos më keq (barazim ndaj skuadrës së fundit në renditje dhe që nuk kishte marrë asnjë pikë në 14 javë dhe humbja e parë në Europë këtë vit, përballë një skuadre që në nivel është shumë më poshtë). Dhe, nëse nga UEFA nuk vijnë sinjale të mira sa i përket soliditetit të klubit dhe të ardhmes financiare, në fushë gjërat shkojnë drejt dramatikes dhe tragjikes.
Milani, i sigurt për një vend në fazën e 1/16-ve (edhe si i pari), pëson dy gola ndaj kroatëve (Puljiç dhe Gavranoviç), duke u kthyer në Itali me një hidhërim më shumë dhe një krenari për të rigjetur. Edhe pse me shumë rezerva, nuk mund të jetë justifikim. Mungesa e lojës vijon, teksa edhe ata që u aktivizuan dhe iu dha mundësia të shprehnin potencialin kanë zhgënjyer totalisht. Keq Andre Silva, por edhe Bilia, që megjithatë provoi nga një goditje e bukur dënimi. Pra, një tjetër mbrëmje për t’u harruar. Gatuzo ka shumë punë për të bërë.