Nuk ka paqe për Milanin, që në fushë është një zhgënjim kolosal dhe jashtë saj po ecën edhe më keq, ndryshe nga sa parashikohej e premtohej. Milionat e shpenzuar në verë u mbuluan me marrje huaje në shifra të frikshme nga fonde investimi që duhen shlyer sa më shpejt, ndërsa paratë e presidentit Jonghong Li nuk janë të dokumentuara dhe UEFA nuk beson se Milani mund të barazojë bilancin brenda një periudhe të shkurtër.
Kështu, marrëveshja e kërkuar nga Milani, Voluntary Agreement, për ngrirje të rregullores derisa Milani të zerojë bilancin, është refuzuar nga UEFA, raportojnë mediat italiane.
Vendimi do të bëhet publik brenda pak ditësh dhe thelbi është ky: UEFA nuk sheh të ardhme pozitive në aspektin financiar për Milanin dhe nuk i merr parasysh planet e drejtuesve kuqezinj për rikuperimin e humbjeve, edhe pse Fasone ka në plan të marrë një hua tjetër, me afat disa-vjeçar, për të shlyer fondin Elliot dhe për të punuar qetësisht për gjetjen e burimeve të reja të të ardhurave.
Tani historia është e thjeshtë, Milani do të ndëshkohet nga UEFA, me gjobë, kufizim skuadre në Europë, bllokim merkatoja, apo edhe përjashtim nga kupat e Europës. Për momentin Milani është aq keq në kampionat, saqë praktikisht po heq dorë vetë nga kupat e Europës.