“Milan-Udineze zgjati 97 minuta, u luajtën 48 minuta e 38 sekonda”! Presidenti i Milani flet hapur: Seria A është niveli i Serisë B para kampionateve të tjerë

Italia ka një problem të madh sa i përket futbollit të luajtur. Eliminimi i kësaj Kombëtare nga Maqedonia e Veriut dhe ngelja jashtë nga Botërori, duke i shtuar njëkohësisht dështimin e këtyre ekipeve në Europë, tregon qartazi se diçka nuk po shkon mirë. Presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, ka prekur problemin në thelb. Mes të tjerave, ai shton se ndalja e shpeshtë e lojës nga ana e arbitrave po e dëmton shumë produktin, duke sjellë edhe një shembull.

“Seria A është niveli i Serisë B në krahasim me kampionatet e tjera më të mira në Europë. Gjatë 20 viteve të fundit, kampionatet e tjera kanë bërë shumë hapa para nesh. Ne nuk po ofrojmë produktin më të mirë, nuk kemi Mesi dhe Mbape sepse nuk i përballojmë dot. Nëse ecim kështu, do të mbetemi shumë pas elitës së futbollit. Duhet t’i ofrojmë njerëzve produktin tërheqës. Futbolli është shfaqje dhe shfaqja ka nevojë për stadiume tërheqëse që të jenë moderne. Nuk ka rëndësi nëse nuk janë shumë të mëdha, por të kenë ndriçim të mirë dhe tribunat të jenë gjithmonë plot.

Por në Itali është e vështirë të ndërtosh në infrastrukturë. Shfaqja duhet të ketë më shumë lojë të zhvilluar dhe sa më pak të ndaluar. Në shkurt, ndeshja mes Milanit dhe Udinezes zgjati vetëm 48 minuta e 38 sekonda, ndërsa në total u dhanë 97 minuta loje. E gjitha kjo sjell shumë mërzitje, arbitrat duhet të kontribuojnë në këtë rast”, tha presidenti i Milanit. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *