Karriera si trajner nuk po shkon në rrugën e duhur për Fabricio Mikolin, që eksperiencat e fundit i ka përfunduar ende pa nisur mirë. Së bashku me Moriero, ish-futbollisti italian la drejtimin e Dinamos vitin e shkuar pas vetëm 2 muajve në krye të detyrës. E nëse aventurat e reja prisnin të zgjasnin më gjatë, e kundërta ndodh. Mikoli ka thyer rekordin për largimin nga nëndetësja e kryeqytetit, teksa i ka dhënë fund marrëdhënies së tij me skuadrën e re. Vetëm 8 ditë ka zgjatur detyra e tij si trajner i Primaverave të Triestinës, prej së cilës është larguar për shkak të problemeve që e përndjekin nga e shkuara.
“Me keqardhje dhe pakënaqësi të madhe, njoftoj se kam dhënë dorëheqjen nga pozita e bashkëpunëtorit të ekipit U.S. Primavera Triestina Calcio 1918, pas një konfrontimi të ngushtë me pronarët. E kisha mirëpritur me shumë dashuri propozimin e marrë nga një klub historik, i lavdishëm dhe i famshëm si Triestina, duke derdhur menjëherë të gjithë përvojën time të fituar gjatë viteve në fushë si lojtar te lojtarët më të rinj, megjithatë, disa komente që kujtuan historitë e mia gjyqësore më shtynë të marr këtë vendim, edhe pse nuk ka lidhje me futbollin.
E bëra për dashurinë e futbollit dhe kjo është puna ime, në mënyrë që të mos i jap askujt shansin të zemërohet ose të tregojë këtë klub, i cili zotëron fanellën dhe tifozët. I uroj Triestinës, të gjithë njerëzve që janë pjesë e saj dhe fansave të tyre fatin më të mirë. Edhe një herë jam këtu së pari për të paguar pjesën time”, ka shpjeguar Fabricio Mikoli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/