Në Kongresin e 43-të të UEFA-s që po zhvillon punimet në Romë, janë nderuar shumë futbollistë nga 54 vendet anëtare, të cilët janë ndarë nga jeta. Në respektit të tyre, ka qenë vetë Presidenti i UEFA-s Aleksandër Ceferin që ka kërkuar gjatë fjalës së tij përshëndetëse që të mbahej 1 minutë heshtje për të gjithë ato figura të shquara të futbollit që ishin ndarë nga jeta në vitin e fundit.
Në listën e atyre që u nderuan në këtë Kongres ishin edhe dy Legjendat e futbollit shqiptar, Skënder Hyka që u nda nga jeta vitin e kaluar dhe Mikel Janku i cili ndërroi jetë një muaj më parë. Skënder Hyka është një nga futbollistët më të mëdhenj të periudhës 1957-1974 kur ai luajti me fanelën e 17 Nëntorit dhe me Kombëtaren, më pas ka qenë ka qenë Sekretar i Klubit Sportiv Tirana, Sekretar i Përgjithshëm e Anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
Ndërkohë që Mikel Janku ka luajtur portier me Partizanin në periudhën 1960-1970, njëherësh edhe me Kombëtaren. Më pas ai ka kryer detyra të rëndësishme në këtë klub, deri edhe në Sekretar i Klubit të Partizanit, dhe më pas drejtues në mediat sportive shqiptare. Lista e personave të ndjerë që u nderuan në këtë kongres mbyllej me një mesazh inkurajues për familjarët e futbollistit argjentinas Emiliano Sala, i cili humbi jetën në aksidentin tragjik ajror në fundin e muajit janar.
AGRON KAJA