Gledi Mici është zyrtarisht lojtar i Shkëndijës së Tetovës. Një ditë e ngarkuar e premtja për mbrojtësin e majtë, që i shoqëruar nga menaxheri i tij Elton Marini kanë negociuar për afro 12 orë me drejtuesit e klubit kuqezi. Shkak për bisedimet e gjata ishin modalitetet e kontratës, në disa pika që lidheshin me taksat.
Kjo edhe për faktin që Maqedonia është një prej vendeve që i takson më tepër kontratat, deri në masën 53 për qind. Megjithatë, në fund ajo që vendosi ishte dëshira për të bashkëpunuar, me palët që gjetën gjuhën e përbashkët, duke zgjidhur çdo detaj të bashkëpunimit. Mbrojtësi firmosi kontratë 2-vjeçare me tetovarët dhe do të prezantohet këtë të shtunë.
Një goditje për Shkëndijën në merkato, që afron një lojtar i cili ka qenë protagonist në Shqipëri fillimisht me Kukësin dhe më pas te Skënderbeu, madje duke fituar titullin kampion dhe Kupën në Korçë, ndërsa luajti edhe në grupet e Europa League.
Fatkeqësisht Mici nuk do të ketë mundësinë të japë kontributin për Shkëndijën në turin e dytë kualifikues të Champions. Shkak për regjistrimin e munguar janë bërë vonesat me kalimin e dokumentacionit TPO (Partneriteti nga Palë të Tretë) nga Skënderbeu, por edhe disa dokumente të tjera.
Gjithsesi, mbrojtësi 27-vjeçar transferohet te një skuadër elitare në rajon, e cila ka një projekt ambicioz, investime të konsiderueshme në planin sportiv, e që synon të bëhet protagoniste edhe në arenën ndërkombëtare. Gledi Mici do të jetë aty, me ngjyrat kuqezi.