Mici dhe Osmani, e ardhmja ende pezull

Te Skënderbeu po ndodh një revolucion i vërtetë, pasi ndryshimet kanë qenë të shumta, diçka që nuk ka qenë e zakontë te korçarët në dekadën e fundit. Pas vendimit të KAS-it se Skënderbeu nuk do të luajë këtë edicion në Kupat e Europës, një pjesë e mirë e lojtarëve janë larguar, ku mund të veçojmë Lilajn, Souenë apo dhe Xhejmsin. Drejtimin e ekipit e ka marrë Orges Shehi, i cili pasi vari këpucët në mur, e kishte gati vendin e trajnerit, kjo për faktin se u largua Ilir Daja.

Gjithsesi në Korçë besojnë se dhe edicionin e ardhshëm do të jenë pretendues për vendet e para, edhe pse pas lëvizjeve të shumta gjithkush mund të krijojë konfuzion. Dy nga lojtarët që ende nuk e kanë thënë fjalën e fundit janë Gledi Mici dhe Tefik Osmani. Të dy kanë qenë ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit, megjithatë vazhdimësia e tyre në Korçë është në pikëpyetje. “Korça sot” raporton se presidenti Ardian Takaj i pret që të dy futbollistët për të vendosur deri ditën e enjte, kur është dhe dita që nisni përgatitjet e Skënderbeut për edicionin e ardhshëm.

Të dy futbollistët janë pa kontratë dhe tani po shqyrtojnë të gjitha mundësitë që kanë. Vetë Mici pak ditë më parë e deklaroi publikisht se është një lojtar i lirë, megjithatë për të ka interes nga jashtë vendit dhe me shumë gjasa e ka mbyllur me Skënderbeun. Edhe Osmani mbetet për t’u parë nëse do të besojë te projekti i korçarëve, apo do të kërkojë një aventurë të re.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *