Luftëtari nuk ia doli të merrte pikë në transfertë përballë Kamzës. Goli i Fukuit i dhuroi fitoren vendasve, ndërsa Gentian Mezani e ndan takimin në dy pjesë: e para, e dobët për ekipin e tij dhee dyta, më e mirë, por pa arritur te goli i barazimit.
Trajneri i Luftëtarit flet për emisionin “Golpas Goli” në “SuperSport” dhe për problemet financiare që po shoqërojnë klubin gjirokastrit prej kohësh.
NDESHJA – “Bëmë një pjesë të parë të dobët. U zgjuam pasi pësuam gol. Nuk kishte përqendrim dhe dëshirë. Më pas pati dëshirë në pjesën e dytë për të shënuar. Gjërat vështirësohen kur je në disavantazh dhe humbet qetësia për të finalizuar para portës.”
SITUATA E VËSHTIRË – “Financat ndikojnë shumë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për financat, por për një skuadër, përpos pjesës që unë mendoj se janë çuna të mrekullueshëm dhe po sakrifikojnë. Mendja qëndron dhe aty. Edhe ata shohin dhe kanë ngacmime nga ekipet e tjera e kjo e bën më të vështirë, për vetë faktin se lojtari është i predispozuar, që të shohë në këtë fund kampionati, të ardhmen e tij ose vazhdimësinë. Humbet dëshira dhe qetësia, pasi duhet të shohim para, por dhe veten e tyre, Gjërat janë të vështira dhe shfaqen edhe ne lojë, e patë në pjesën e parë. E patë edhe në Durrës edhe me Kukësin në shtëpi. Do të vijojë që të shfaqet, pasi nuk kam unë një shkop magjik. Unë punën time po e bëj dhe do të marr përgjegjësi me ta, por nuk është pjesë e imja ajo, u takon drejtuesve. Nuk dua të flas më për këtë. U ktheva si te koha kur kam qenë te financat, ku më pyesnin çdo javë për financat”.
NGËRRÇI – “Nuk është vetëm çështje motivi.Nuk diskutohet që edhe motivimi nuk është maksimal. Jemi në fund të mbylljes sëfazës së dytë dhe pa diskutim që lojtarët kanë ngacmime nga ekipet e tjera.Skuadrat e tjera kanë telefonuar lojtarët e mi para çdo ndeshje, për të shkuaratje. Janë të papërqendruar për një ndeshje. Kjo duket sepse zgjohemi nga gjumi kur kemi pësuar. Duhet të jemi të motivuar që në fillim për t’u ndeshur të barabartë me kundërshtarin. Uroj që të zgjidhet sa më parë”.
ZGJIDHJA – “Nuk besoj se pajtohen drejtuesit me situatën. Unë shpresoj që t’i japim një zgjidhje sa më parë dhe lojtarët të përqendrohen. Kur erdha morëm disa rezultate pozitive, por kur vjen një trajneri ri, ekipi është më i motivuar, por aq zgjati. Nuk është se ne e meritojmë nga loja që zhvillojmë për të qenë në këtë pozitë ku jemi ose të humbim ndeshje pas ndeshje”.
KARIKIMI – “U kam thënë lojtarëve që të japin më të mirën e tyre në çdo ndeshje. Sakrifikuan në pjesën e dytë, por kur nuk janë në 100%, atëherë bëhen shumë faktorë bashkë. Kundërshtari e shfrytëzon këtë situatë. Janë profesionistë dhe duhet të mendojnë për ndeshjen e radhës dhe të respektojnë kontratën. Ne duhet të bëjmë detyrën tonë dhe drejtuesit të bëjnë detyrën e tyre”.
PREMTIMET – “Kur erdha te Luftëtari ishte dhe dëshira ime. E dija cilësinë që kishte në skuadër. Mu premtua që çdo situatë do të rregullohej. Unë jo se nuk kisha oferta, por zgjodha një skuadër se mu dha garanci për vazhdimësinë. Kam besimin e plotë se do të zgjidhet dhe këtë shpresë kisha. Ndoshta do të jetë ndonjë ngërç dhe uroj që të zgjidhet sa më parë. Në të kundërt nuk mund të hidhesha në lumë me një gurë dhe të mbytesha dhe vetë. Unë jam një trajner i ri dhe më duhet që të shoh dhe të ardhmen time. Mu premtua se do të rregullohej situata dhe me besimin e plotë e mora drejtimin skuadrës, më duhet të besoj kur më thonë se do të rregullohet situata, edhe pse është e vështirë”.
GODITJET STANDARTE – “Doja një markim një kundër një me Fukuin, por mos përqendrimi bëri që lojtari të neglizhonte në atë moment. Çdo mendim më çon aty ku fola. Pjesa e parë është e pakrahasueshme me pjesën e dytë”.
E ARDHMJA – “Mezani ka ardhur te Luftëtari jo për ta nxjerrë nga Kategoria. Nëse nuk do të zgjidhet situata dhe do ketë largime, unë do të bëj zgjedhjen time. Përderisa kam ardhur i fundit duhet të jetë ai që do ikë i fundit. Do pres deri në fund, por edhe pritja ka një kufi. Jam trajner i ri dhe nuk mund të hedh gjithçka poshtë”.