Luftëtari rezistoi vetëm një pjesë loje kundër kampionëve në fuqi të Skënderbeut, të cilët shënuan dy herë në pjesën e dytë dhe morën fitoren. Trajneri i gjirokastritëve Gentian Mezani foli pas ndeshjes për emisionin “Gol pas Goli”, duke insistuar të mbajë ambientin e qetë dhe të shohë nga e ardhmja.
Trajneri ndihet keq për gabimet që çuan në humbjen e ndeshjes, por pushimi vjen në momentin e duhur dhe Luftëtari do të bëjë maksimumin për t’u larguar nga ky poizicion në renditje.
NDESHJA – “Ne kishim rastet më të pastra në pjesën e parë, pavarësisht se Skënderbeu qarkulloi topin. Në pjesën e dytë duhet të ishim treguar më të përqendruar të dy golat që pësuam. Duhet t’i evitonim ato raste, por i dhuruam fitoren Skënderbeut. Skuadra nuk kishte fuqi. Lojtarët nuk reaguan kur pësuam golin e parë dhe të dytë. Ky është një problem i madh, që duhet ta rregullojmë. Gjithçka ka të bëjë me aspektin psikologjik”
SITUATA – “Një trepikësh sot do të na jepte shpresë për vazhdimësinë, por jemi optimistë. Kemi humbur vetëm një takim, tashmë vjen pushimi dhe do të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet e ardhshme.”
OBJEKTIVI – “Ndeshjet duhet t’i marrim një nga një dhe objektivi im është ndeshja e radhës. Klubi nuk më ka vendosur ndonjë objektiv. Ne duam të lëvizim nga ky pozicion në renditje dhe do të mundohemi të japim më të mirën tonë në vijim.”
SKUADRA – “Na mungon lojtari, i cili jep asin final. Shpresoj që Roca të rikthehet sa më shpejt dhe ta zgjidhim këtë problem. I kërkova skuadrës të dilte pak më para në pjesën e parë, por nuk e ka forcën për të bërë atë që i kërkoj. Pasi pësuam golin, nuk patëm më shpejtësi dhe u treguam të ngadaltë. Duhet të përmirësohemi dhe të largohemi nga ky pozicion në renditje. Djemtë po japin shpirtin dhe nuk duhet t’i vendosim fajin njëri tjetrit. Kemi humbur dy ndeshje e fundit si pasojë e gabimeve tona dhe jo meritës së kundërshtarëve.”
E ARDHMJA – “Unë mundohem të mbaj ambientin e qetë dhe në këto momente. Skuadra ka pësuar shumë humbje, por shpresoj që të fitojmë takimin tjetër. Në psikologjinë time nuk ka rëndësi nëse kam përpara Skënderbeun, Kukësin, Kamzën apo Flamurtarin. Barazimi në fushën tonë është si humbje, më mirë fitoj një ndeshje dhe humbas tjetrën, sesa bëj dy barazime rresht.”