Kurbinasit janë thuajse gati për takimin me Partizanin, ndërkohë që stafi teknik po jep këshillat e fundit para takimit të nesërm
Vladimir Prenga
Laçi ka pushuar të shtunën dhe tri ditët e fundit seancat stërvitore kanë qenë goxha të ngarkuara, sigurisht ngarkesa ka ardhur në ulje, pasi nesër bardhezinjtë zbresin në fushën e blertë për t’u përballur me Partizanin në shtëpi. Në fazën e parë kurbinasit triumfuan në transfertë dhe ajo fitore u trumbetua shumë, por tashmë bëhet fjalë për një takim krejt tjetër, edhe pse lojtarët janë të njëjtët. Ndryshimi i trajnerit te Partizani luan rolin e vet, ndërkohë që edhe ndeshja e fazës së parë bën që të kuqtë ta vlerësojnë më shumë këtë takim të dytë.
KËSHILLAT
Trajneri Gentian Mezani është para mjaft aktiv gjatë seancave stërvitore të këtyre ditëve, teksa ka këshilluar skuadrën e tij në momente të veçanta. Ndeshje të tilla si kjo me Partizanin kërkojnë interpretim perfekt, pasi kundërshtari pavarësisht problemeve që ka pasur, i ka elementët për të bërë diferencën në çdo moment. Vendosja në fushë është mjaft e rëndësishme, si dhe ekuilibri, ndaj dhe tekniku vlonjat kërkon një ndeshje perfekte nga të tijtë. Gjatë lojës ka pasur shumë ndalesa dhe kjo është normale. Ekipi është parë i motivuar dhe me besim se mund t’ia dalë të kthehet te fitorja këtë javë. Barazimi në Durrës me Teutën ka ndikuar pozitivisht në moralin e futbollistëve.
SEANCA E FUNDIT
Sot kurbinasit pritet të zbresin në fushën e blertë sërish për t’i dhënë dorën e fundit përgatitjeve. Gjatë ditëve të shkuara ekipi është stërvitur në Kamzë, pasi të kuqtë i kanë mbaruar përgatitjet. Ende nuk është vendosur se ku do të kryhet seanca e fundit stërvitore, por lojtarët do lajmërohen paraditen e sotme për këtë. Në këtë seancë ekipi pritet të punojë sërish me taktikën, ndërkohë që një element i punës do jenë edhe goditjet standarte. Pas të përmbyllën përgatitjet, futbollistët me shumë gjasa do të grumbullohen për ta kaluar natën në një nga hotelet në periferi të Laçit dhe nesër 90 minuta para takimit do të jenë në stadium.