“Messi është një prani e rëndë”, Matuidi i del në mbrojtje Griezmann-it: Te Barcelona nuk do jetë kurrë ai i Francës

Raporti mes Griezmann-it dhe Messi-it ka qenë gjithnjë i përfolur, me argjentinasin që akuzohet se e ka lënë në hije ish-futbollistin e Atletico Madrid. Francezi luan jashtë pozicionit të tij te Barcelona dhe kjo ka sjellë edhe një ngërç në lojën e tij. Këtë mendim ka edhe patrioti i tij, Blaise Matuidi, i cili ka komentuar gjendjen e Griezmann te katalanasit për mikrofonin e “BeIn Sports”. Ish-mesfushori i Juventusit thekson se në pozicionin e sulmuesit francez luan një lojtar me prani të rëndë si Messi, prandaj për këtë arsye Griezmann nuk do të jetë kurrë me Barcelonën i njëjti futbollist që është me Kombëtaren e Francës.

“Griezmann nuk mund të luajë atje ku dëshiron te Barcelona, ai është në një situatë që duhet ta durojë. Nuk është në pozicionin e tij ideal. Kur ai luan në pozicionin e tij, si me Francën kundër Portugalisë, ai bën një ndryshim dhe e tregon atë.

Unë mendoj se të gjithë janë të vetëdijshëm që Griezmann te Barcelona nuk do të jetë kurrë i njëjti lojtar që admironi me Kombëtaren franceze. Derisa të vendoset në rolin e tij natyror, ne nuk do ta shohim Griezmann-in e vërtetë.

Një Messi i caktuar luan në pjesët e tij, një prani që është e rëndë, por unë jam i sigurt që në planin afatgjatë Antoine do të jetë në gjendje të gdhende një hapësirë të rëndësishme. Jam i bindur që Griezmann do të gjejë dimensionin e tij te Barcelona dhe do të japë më të mirën”, ka deklaruar Blaise Matuidi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *