Lionel Mesi dhe Barcelona, një binom i pandashem prej shumë vitesh, aq sa tashmë askush nuk e imagjinon dot largimin e “Pleshtit” nga Camp Nou.
Megjithatë, nëse një ditë “martesa” do të përfundojë, Mesi nuk do të luajë për asnjë klub tjetër në Europë, sepse ëndrra e tij mbetet të luajë me Newell’s Old Boys. Bëhet fjalë për klubin ku Mesi hodhi hapat e para si futbollist, para se të shkonte në Barcelonë në moshën 13-vjeçare.
Që atëherë Mesi ka shënuar 552 gola si profesionist të Barça, duke fituar çdo trofe të mundshëm.
Tashmë 30-vjeçari e pranon se në Europë asnjë klub nuk ka shans ta marrë, por konfirmon se ëndrra e tij mbetet skuadra e fëmijërisë: “Po bëhet gjithnjë e më e qartë që Barcelona do jetë klubi im i vetëm në Europë. Me pas, do doja të luaja në Argjentinë, por nuk e di a do ndodhë. Do doja të luaja qoftë edhe 6 muaj, apo edhe pak ndeshje. Jam rritur duke ëndërruar të luaja për Newell’s, shkoja në ndeshjet e tyre me babait, vëllain apo shokët. Më pas jeta më çoi gjetkë, por nuk e kam harruar fëmijërinë time”.