Mesfushori i Kukësit befason në Gjeorgji: Rivali ynë Flamurtari, Skënderbeu është dënuar

Mesfushori i Kukësit, Irakli Dzaria ka dhënë një intervistë për sitin gjeorgjian lelo.ge, ku ka folur rreth futbollit shqiptar dhe ecurisë së tij me Kukësin. Gjeorgjiani ka zbuluar Shqipërinë, duke e ekzagjeruar në disa pika, teksa ka thënë se në ndeshje të mëdha janë të pranishëm 15 deri në 20 mijë tifozë. Në krahun tjetër, ai tregon se është shumë i bindur se nëse arrijnë që të renditen në vendin e dytë, do të luajnë në Champions League, duke treguar dhe për çështjen e Skënderbeut, që sipas tij është dënuar. Natyrisht, po e marrim të mirëqenë që gazetarët gjeorgjianë nuk e kanë shtrembëruar intervistën.

KUKËSI – “Arritëm një fitore të vështirë ndaj Partizanit të hënën, nuk isha mësuar të luaja në kushte aq të vështira, sepse ndeshja u luajt në shi dhe ritmi ishte shumë i lartë, shpenzuam energji sa për dy ndeshje. Çdo ndeshje është si luftë në Shqipëri, nuk kam parë ndeshje me kaq shumë ritëm e intensitet, nuk ke kohë të relaksohesh. Partizani ka ekip të mirë dhe tifozë ‘të çmendur’. Për faj të shiut, ishin vetëm 3000 tifozë në stadium. Në ndeshjet për kreun janë 15-20 mijë tifozë, nuk ka shans të shohësh kaq shumë tifozë në Gjeorgji”.

CHAMPIONS – Kemi një shans real për të shkuar në Champions League, nëse kalojmë Flamurtarin. Skënderbeu është në krye, por siç e dini, UEFA ka dhënë një dënim shumë të ashpër, duke e përjashtuar për 10 vite nga kupat e Europës, ndaj vendi i dytë do të shkojë në Champions. Rivali kryesor është Flamurtari”.

NIVELI I SUPERIORES – “Në krahasim me Gjeorgjinë, niveli është më i lartë, luhet futboll më i shpejtë dhe ka më shumë tension, nuk dihet kush do fitojë, deri në fund. Nuk po them që është shumë më lart se në Gjeorgji, por në vendin tonë nuk e shfrytëzojmë potencialin tonë, nuk vrapojmë sa në Shqipëri. Kampionati shqiptar është një nivel më lart, më profesional, klubet kanë më shumë disiplinë, përveçse kujdesen më shumë për lojtarët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *