Të shtunën në mbrëmje në Las Vegas u zhvillua një ndër ndeshjet më interesante dhe mediatike të historisë në UFC, me Habib Nurmagomedov që ruajti pathyeshmërinë dhe fitoi Brezin e Artë, duke mposhtur një tjetër emër mjaft të njohur të të këtij sporti, Konor MekGregor.
Në fakt, dueli në Octagon mori përmasa epike më shumë për përgatitjen e sfidës dhe për atë që ndodhi pas saj. Një sherr masiv shpërtheu në ring, ku u përfshi kampioni i ri dhe anëtarë të stafit të tij, duke e kthyer në një skandal të vërtetë sfidën e milionave dhe lavdisë.
Shefi i UFC, Dana Uajt, nuk deshi t’ia dorëzonte brezin Habibit, duke i thënë: “Nëse ta jap tani brezin, njerëzve do u iki truri dhe do hedhin sende në Octagon. Do vritet ndokush”.
Nurmagomedov u largua mes fishkëllimave dhe sendeve të hedhura, ndërsa Uajt ia dha brezin me vonë, pas skene. Megjithatë, Nurmagomedov nuk e ka marrë ende shpërblimin e parashikuar dhe nuk dihet a do i jepet, sepse është nën hetim.
Pas disa ditësh në heshtje, me Nurmagomedov që ka festuar në vendlindjen e tij Dagestan me miqtë dhe familjen, kampioni ka postuar një mesazh në rrjetet sociale, ku është i ulur mbi një makinë që më sa duket është e Dana Uajt dhe shkruan: “Dana, je me fat që ma dhe brezin, sepse përndryshe do të ta kisha shkatërruar makinën, ta di parkingun”.