Një fitore për t’iu larguar zonës “play out”, por edhe për t’u afruar me kreun. Lushnja është skuadra e vetme që nuk e njeh humbjen në Grupin B të Kategorisë së Parë, megjithatë në pesë javët e para skuadra ka arritur vetëm një fitore. Pas tre barazimeve radhazi, eikipi i Ilir Gjylës e sheh veten në një situatë të pazakontë.
Vendi i parë, i mbajtur nga Egnatia është vetëm tre pikë larg, por ndërkohë skuadra pozicionohet e shtata, me 7 pikë të grumbulluara në kampionat. Pas barazimit në Fier ndaj Apolonisë, kundërshtari i radhës është Bylisi, një tjetër skuadër e ndërtuar me pretendime në këtë edicion, por që nuk po i’a kalon më mirë. Lushnja kërkon fitoren dhe drejtuesi i stolit ka besim se mund t’ia dalin me mbështetjen e tifozëve.
“Mendoj se do të jetë një ndeshje që do t’i kënaqë spektatorët, u bëj thirrje mbështetësve tanë që ashtu si edhe në ndeshjet e tjera t’a ndihmojnë skuadrën. Nuk u’a kam merakun për këtë”, tha trajneri Ilir Gjyla për “RTSH Sport”. “I falenderoj për këtë kohë, që na kanë qëndruar pranë dhe mendoj se do të vazhdojnë t’a mbështesin ekipin. I kemi kërkuar lojtarëve të marrin maksimumin nga kjo ndeshje”.